400 banesa të shqiptarëve janë të uzurpuara në veri

Lajme

400 banesa të shqiptarëve janë të uzurpuara në veri

Më: 3 maj 2016 Në ora: 09:27

Edhe pas tri vjetësh nga Marrëveshja e arritur në Bruksel në mes të ish-kryeministrave, Thaçi e Daçiq, për normalizimin e raporteve në mes të Kosovës e Serbisë, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë për shqiptarët e pjesës veriore të Mitrovicës.

Ata edhe më tutje nuk mund t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre, nuk mund të kthehen në banesat që u janë uzurpuar, nuk mund të lëvizin lirshëm nëpër rrugët e pjesës veriore, madje as nëpër lagjet e veta. Nuk është zbatuar as Marrëveshja në Bruksel për urën kryesore të Ibrit, e cila do të duhej që të ristrukturohej dhe të lëshohej për qarkullim në qershorin e këtij viti, me çka do t’i vinte fundi edhe të ashtuquajturit “Park i paqes”, i vendosur nga serbët e veriut të Mitrovicës, që udhëhiqeshin nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq.

Ura dhe barrikada në formë të parkut janë rrethuar me pllaka alumini nga Zyra e BE-së në Prishtinë, ndërsa kalimtarëve u është mbetur vetëm një korridor skaj urës, nëpër të cilin mund të lëvizin nga veriu në jug dhe anasjelltas. Komuna Veriore e Mitrovicës, që ka dalë nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2013, nuk ka treguar asnjë përkujdesje për t’i ndihmuar shqiptarët e asaj pjese, përkundrazi pengon çdolloj aktiviteti që ndërmarrin shqiptarët e asaj pjese, ndërkohë që nxit ekstremistët serbë që t’i bllokojnë punët sa herë që ata janë përpjekur t’i rindërtojnë shtëpitë e djegura dhe të rrënuara.

Takimet e organizuara në mes të përfaqësuesve shqiptarë dhe serbë të lagjes “Kroi i Vitakut” për zgjidhje të problemit rreth rindërtimit të shtëpive, si dhe formimi pastaj i një Këshilli Ndërministror, pjesë e të cilit janë përfaqësuesi i shqiptarëve të pjesës veriore, ai serb, si dhe ministrat serbë në Qeverinë e Isa Mustafës, Lubomir Mariq e Dalibor Jevtiq, doli të jetë vetëm një mashtrim sa për t’i ulur gjakrat, pasi ai Këshilli nuk ka bërë asgjë që do t’i ndihmonte shqiptarët të punojnë për ndërtimin e shtëpive të tyre, ndërkaq ka lejuar serbët të ndërtojnë objekte të larta banimi, në të cilat vendosen refugjatët serbë të jugut të Kosovës, të Serbisë, madje edhe refugjatë serbë nga Kroacia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat