Prishtinasja rrëfen tmerrin e plaçkitjes së armatosur në dyqanin e saj (Video)

Lajme

Prishtinasja rrëfen tmerrin e plaçkitjes së armatosur në dyqanin e saj (Video)

Më: 3 maj 2016 Në ora: 01:04

Njëzetegjashtëvjeçarja L.S. nuk e kishte menduar asnjëherë që mund të ishte pre e grabitjeve.

Punëtorja e dyqanit, që shet mbushje telefoni në rrugën “Muharrem Fejza” të kryeqytetit, po e kryente normalisht punën e saj mbrëmjen 12 shkurtit 2016, kur dy grabitës u futën në lokal.

“Kam qenë e sulmuara e pikës ku ka ndodhur vjedhja. Ka ndodhur diku rreth orës 21:00, ku dy persona me armë kanë hy edhe kanë plaçkit”, ka thënë punëtorja.

Nga kjo ngjarje 26-vjeçja ka marrë trauma jetësore.

“Tmerr, diçka e papërjetuar ma herët. Edhe një traumë e cila nuk është lehtë me u harru”, shtoi ajo.

Edhe banorë të tjerë të rrugës “Muharrem Fejza” në kryeqytet ankohen për numër të madh të vjedhjeve në këtë lagje.

Halil Matoshi, pronar i kompanisë “Lenti” që mirëmban një kompleks banesash në këtë lagje, flet për hallin e madh që e kanë banorët nga hajnat.

“Shqetësimi ynë është se kemi një pasiguri shumë të madhe në lagjen tonë. Janë duke u zhvilluar jashtëzakonisht vjedhje shumë të mëdha, dhe nuk po ndërmerret asgjë”, tha Matoshi.

Nga shifrat që i ka mbledhur Matoshi nga 2015-ta në këtë lagje janë kryer rreth 150 vjedhje. Në mesin e gjërave të vjedhura janë edhe disa makina të shtrenjta.

“Shqetësimi më i madh është në makina. Ka veturë të vjedhur vlera e të cilës është 35.000 euro. E 35.000 euro është vlerë shumë e madhe, dhe nuk u ndërmarrë asgjë”, tha ai.

Policia e Kosovës pranon se në këtë lagje vjedhjet janë një problem por të dhënat nga këto vjedhje janë më të vogla.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësen e policisë për Rajonin e Prishtinës, Florije Ahmeti. Ajo tha se në rrugën “Muharrem Fejza” nga viti 2014 janë raportuar 41 vjedhje prej të cilave 7 janë zbuluar ndërsa të tjerat janë duke u hetuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat