Kosova partnere serioze dhe kontributore për sigurinë në rajon dhe më gjerë

Lajme

Kosova partnere serioze dhe kontributore për sigurinë në rajon dhe më gjerë

Nga: Intervistoi: Mimozë Lakna Më: 2 maj 2016 Në ora: 17:29

“Bota sot”: A mund të na sqaroni çka do të thotë Menaxhim i Integruar i Kufijve?

Hoxha: Menaxhimi i Integruar i Kufirit dhe siguria në kufi, përbën një angazhim të veçantë në raport me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, legjislacionin në fuqi, veprimet politike dhe Sigurinë Kombëtare brenda vendit, si dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, strukturat tjera ndërkombëtare dhe ndërtimin e besimit me shtetet fqinje e më gjerë.
“Bota sot”: Cili është rezultati i cili arrihet me aplikimin e këtij koncepti?

Hoxha:Me aplikimin e këtij koncepti, vendi ynë po arrin rezultate të ndjeshme dhe praktike. Përafrimi dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian për Republikën e Kosovës është një orientim dhe objektiv strategjik, që nënkupton pranimin e vlerave evropiane dhe njëkohësisht aprovim i standardeve më të larta sektoriale.

Lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave është një element kyç që bazohet në BE, e cila bën thirrje për futjen e masave dhe standardeve të kontrolleve të kufijve, përmes sistemit efektiv të kontrollit dhe menaxhimit kufitar, të cilat lejojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, parandalimin e krimit ndërkufitar, gjithmonë duke respektuar standardet e larta të drejtave dhe lirive të njeriut.

Zbatimi i konceptit të Menaxhimit të Integruar të Kufirit është gjithashtu një tregues i qartë për partnerët ndërkombëtarë që Republika e Kosovës është e gatshme të kontribuojë për sigurinë rajonale dhe më gjerë, duke u bërë një partner i besueshëm si për BE-në dhe të tjerët, në sferën e kontrollit të kufijve të saj.
“Bota sot”: Ka ndonjë mënyrë praktike të kontributit direkt të qytetarëve

Hoxha:Po natyrisht, në Ministrinë e Punëve të Brendshme është e vendosur Qendra Kombëtare për Menaxhimin e Kufirit ku janë të vendosura TV-të e qarkut të mbyllur dhe nga ku monitorohen 24 orë me kamera të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Po ashtu, në këtë Qendër janë të instaluara edhe linjat e thirrjeve telefonike, të cilat ne i quajmë linja të besueshmërisë dhe janë pa pagesë (080050095, ose sms: 50095), për raportim të rasteve të dyshimta, aktiviteteve kontrabanduese dhe dukurive korruptive.

Qytetarët mund të lajmërojnë çdo vërejtje që kanë në punën e autoriteteve kufitare për kontrollin e kufirit, çdo lloj aktiviteti joligjor që ndodhë në brendi të territorit të Republikës së Kosovës apo edhe informata për planifikimin e aktiviteteve joligjore në vende tjera e që parashikohen të barten në Kosovë.

Nga telefonatat e pranuara në Qendrën e Thirrjeve kemi parandaluar shumë raste të tentim kontrabandimit me mallrat të ndryshme, cenimit të sigurisë kufitare dhe shëndetit publik si në hyrje, dalje e po ashtu në brendi të territorit të Republikës së Kosovës.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni të martën në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat