“Tendencat që largimi nga Nisma të paraqitet si shuarje e degëve, janë abuzive dhe manipulative”

Lajme

“Tendencat që largimi nga Nisma të paraqitet si shuarje e degëve, janë abuzive dhe manipulative”

Më: 2 maj 2016 Në ora: 14:51

Ditëve të fundit shumë anëtarë të Nismës për Kosovën janë larguar nga kjo parti duke aderuar kështu në Lëvizjen Vetëvendosje.

Madje degët e kësaj partie në komunën e Drenasit dhe atë të Vitisë, është bërë e ditur se janë shpërbërë.
Mirëpo anëtari i Kryesisë së Nismas për Kosovën, Bilall Sherifi këto largime i quan rirreshtime që po ndodhin në të gjitha partitë e Kosovës.

Për Sherifin, largimi nga një parti është e drejtë e patjetërsueshme e çdo kujt mirëpo nuk është e saktë që largimi i një kryetari të degës të paraqitet si shuarje e saj.

“Largimi është e drejtë e patjetërsueshme e çdo kujt edhe e Xhevatit, Izetit dhe të tjerëve. Mirëpo tendenca që largimin e tyre ta paraqesin si shuarje apo zhbërje të degëve në të cilat ata kanë vepruar nuk është e saktë. Madje, do të thosha, logjikat e tilla janë abuzive dhe manipulative”, ka thënë Sherifi për mediat vendore.

Sipas tij, koha shumë shpejt do ta vërtetojë se degët edhe në këto komuna funksionojnë sikur në komunat tjera, ndërsa sa i përket arsyeve pse ata janë larguar u takon atyre ta shpjegojnë.

Sa i takon protestës së 14 majit, Sherifi ka thënë se nga nesër do ta intensifikojnë angazhimin në funksion të përgatitjeve.

“Sa i përket protestës së 14 majit, ne kemi punuar në teren edhe deri më sot, mirëpo nga nesër do ta intensifikojmë angazhimin në funksion të përgatitjeve për këtë protestë”, ka thënë Sherifi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat