Zvicra arreston një ish- ushtar të UÇK-së, familjarët thonë se mund të ekstradohet në Serbi (Foto)

Lajme

Zvicra arreston një ish- ushtar të UÇK-së, familjarët thonë se mund të ekstradohet në Serbi (Foto)

Më: 2 maj 2016 Në ora: 11:55

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Genc Zogaj, është arrestuar të enjten në Gjenevë të Zvicrës, për shkak të një fletarrestimi të shtetit serb. Zogaj, i cili me të njëjtin flet-arrest, ishte ndaluar nga autoritetet franceze në tetor të vitit 2014, aktualisht ndodhet në burg, ekstradimi i të cilit pritet të bëhet gjatë javës.

Vëllai i Gencit, Besarti në një prononcim për Indeksonline ka treguar për arrestimin e vëllait më 2014 dhe 2016, ekstradimin e tij, luftën e UÇK-së, etj.

Ai ka bërë të ditur se autoritetet zvicerane as nuk po i lejojnë që të takohen me Gencin, duke akuzuar institucionet e Kosovës që nuk po bëjnë asgjë për ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Vëllai me nusen e tij dhe një çift tjetër, të enjten në mëngjes kanë qenë duke shkuar në një fshat afër Gjenevës, mirëpo as kunata nuk po e din a kanë qenë këndej apo andej kufirit, mirëpo po thotë se i kanë kapur dhe i kanë dërguar në Gjenevë dhe i kanë mbajtur tërë ditën. Të tjerët i kanë lëshuar, mirëpo ndonëse të gjithë i kanë letrat e Francës për dhjetë vite, i kanë dënuar nga pesë vite, që nuk ka ligj në botë që e bën këtë, mirëpo ne nuk po e dimë se për çka është bërë kjo. Ne nuk po e dimë se çka po bëhet, kemi shkuar të pyesim pse po ndodh ky arrestim, na kanë thënë se po e kërkon shteti i origjinës, e që do të thotë Serbia, sepse neve të Kosovës në letra na shkruan Jugosllavia, e faktikisht i bie që po e kërkon ende Serbia”, ka thënë Besarti.

Ai ka thënë se Genci ishte arrestuar në Francë më 2014, mirëpo nuk u ekstradua në Serbi. Ai ka kërkuar ndihmën e autoriteteve të Kosovës.

“Të gjithë e dinë rastin kur në 2014, Genci ishte arrestuar në Francë, mirëpo nuk u lejua të kthehet në Serbi, e tani është në burgun ‘Prison de Champ-Dollin’ në Puplinge të Zvicrës, dhe brenda javës pritet ekstradimi i tij për në Serbi. Kisha dashur që dikush nga Kosova të ndërhyj në këtë rast, të bëj diçka. Nuk na kanë lejuar as ta takojmë vëllanë që është në burg. Vetëm mami ka pasur mundësi të flas me të, e asaj i kanë thënë që do të kthehet atje sepse po e kërkojnë, pra në Serbi”, ka thënë ai.

Ai është shprehur shumë i revoltuar me udhëheqësin e Kosovës, që sipas tij, janë bërë milionerë, e ish-ushtarët e UÇK-së po kalben burgjeve.

“Meqë këto dy ditë në Francë ishte pushim, nuk kemi mundur të dimë e as të bëjmë asgjë. Vëllai im i ka mbajtur gati 14 vite burg, jemi lodh nga këto gjëra. Disa në Kosovë janë bërë milionerë e jau dh**** milionat, ishalla publikohet fjala ime, e ushtarët e thjeshtë po kalben nëpër burgjet e Evropës e botës. Në Kosovë qohen luajnë me miliona, me gjakun e gjymtyrët e ushtarëve, nuk po e di çka po bëhet me Kosovën. Kemi avokat në Francë e në Zvicër, kemi avokatë të mirë, mirëpo është e kot kur shteti nuk bën asgjë për ty, badihava unë i ndihmoj dikujt, kur dikush nuk do ta ndihmoj veten, kjo është e pamoralshme”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat