Deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, i gatshëm për bashkëpunim me Vuçiqin

Lajme

Deputeti i vetëm shqiptar në Serbi, i gatshëm për bashkëpunim me Vuçiqin

Më: 1 maj 2016 Në ora: 21:06

Partia shqiptare në Luginë të Preshevës, Partia për Veprim Demokratik, ka shprehur interesim për futje në koalicion me fituesin e zgjedhjeve në Serbi, listën e përbashkët “Fiton Serbia” e udhëhequr nga partia e kryeministrit Aleksandar Vuçiq, Partia Përparimtare e Serbisë.

"Partia për Veprim Demokratik është e interesuar që të jetë pjesë e koalicionit qeverisës. Nëse Aleksandar Vuçiq vendos që të ftojë në koalicionin e gjerë, që e ka paralajmëruar, ne këtë ftesë do ta pranojmë", ka thënë për mediat serbe Fatmir Hasani, deputeti i vetëm shqiptar i dalë nga zgjedhjet e 24 prillit në Serbi.

Në atë se a ka marrë ende një ftesë zyrtare për bashkëpunim, Hasani ka thënë se është herët sepse nuk kanë dalë ende rezultatet zyrtare nga Komisioni Republikan i Zgjedhjeve. Kësaj i shtohet edhe dhënia e mandatit për formimin e qeverisë nga presidenti, Tomislav Nikoliq.
Futjen në koalicionin e paralajmëruar nga Vuçiq, Hasani e sheh si mundësi për të dhënë ndihmën e tij në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë.

“Tash mund të flasim vetëm për pozitën e partisë dhe dëshirave tona. Jemi të gatshëm të ndihmojnë kryeministrin Vuçiq në zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në relacionin Beograd – Prishtinë – Tiranë”, ka thënë Hasani, duke shtuar se do të ndihmojnë edhe përmirësimin e gjendjes ekonomike në Luginën e Preshevës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat