Universiteti specifik i Mitrovicës

Lajme

Universiteti specifik i Mitrovicës

Më: 1 maj 2016 Në ora: 15:41

Universiteti i Mitrovicës, “Isa Boletini” është një ndër universitetet më të veçanta në Kosovë. Ky universitet nuk ofron shumë programe të studimit, mirëpo, ato të cilat i posedon janë specifike për komunën por edhe për Kosovën në përgjithësi.

Rektori i parë i këtij universiteti, Alush Musaj, në një intervistë për KosovaPress ka thënë se ky universitet ka filluar me dy fakultete, derisa tani i numëron 6 njësi akademike me mbi 20 programe të studimit.

“Ne si Universitet i Mitrovicës kemi filluar me dy fakultete, ishin dy fakultete në kuadër të Universitetit të Prishtinës, tani i kemi gjashtë fakultete, 23 programe të studimit të akredituara. Është një universitet më shumë me programe të fushës teknike, ka këto programet e reja, tani që janë pesë programe të reja, por megjithatë ne kemi më shumë disa programe që janë të veçanta në Kosovë, nuk ka në universitete tjera publike, kjo na bënë më specifik.

Pastaj, edhe numri i studentëve është rrit 100 përqind sepse megjithatë universiteti e ka josh rininë që të studiojnë edhe në regjionin e Mitrovicës. Ne kemi studentë nga gjithë qytetet e Kosovës, nga gjithë vendbanimet, kemi edhe nga Maqedonia, nga Presheva, nga Shqipëria, këto drejtime që e bëjnë specifik Universitetin e Mitrovicës”, ka thënë Musaj.

Sipas tij, pas UP-së, Universiteti “Isa Boletini” ka staf akademik të rregullt më shumë se në universitetet tjera publike, duke numëruar 88 profesorë dhe doktorë shkence të rregullt, kurse, pjesa tjetër janë të angazhuar sipas Statutit.

Megjithatë, Musaj ka thënë se nuk ishte i lehtë rrugëtimi i këtij institucioni nga themelimi deri më tani.
Musaj po ashtu ka theksuar se ky universitet tash e një vit ka dalë nga procesi i rregullt zgjedhor, i cili ka kaluar pa asnjë problem.

Ndërkohë, rektori Musaj e ka sqaruar pse ky universitet është specifik dhe i veçantë për dallim prej institucioneve tjera të arsimit të lartë në vendin tonë.

“Ne e kemi Fakultetin e Gjeoshkencave, që është e fushës së xehetarisë metalurgjisë, Fakultetin e Teknologjisë Ushqimore që është inxhinieri e mjedisit, inxhinieri ushqimore, inxhinieri kimike, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike që i ka shkencat kompjuterike dhe materiale, e ka inxhinierinë ekonomike, ka drejtime specifike, këto tri fakultete teknike kanë drejtime të veçanta që nuk kanë universitetet tjera publike dhe as private në Kosovë.

Kemi pastaj edhe Fakultetin Juridik me një program, Fakultetin Ekonomik me dy programe dhe Fakultetin e Edukimit me dy programe”, ka deklaruar rektori Musaj duke shtuar se për programet teknike, Universiteti i Mitrovicës ka marrëveshje që janë nënshkruar me më shumë se 30 operatorë të biznesit në Kosovë, si ndërmarrje prodhuese dhe përpunuese, ndërmarrje shërbyes etj, në mënyrë që studentët të shkojnë atje të përgatisin edhe seminare apo tema praktike.

Ai ka thënë se shumë shpejt do të nënshkruhet edhe një marrëveshje me ndërmarrjen “Trepça”, që studentët e Universitetit “Isa Boletini” të bëjnë punë praktike deri në periudhë tremujore për përgatitjen e temave për çka edhe do të paguhen me një përqindje të caktuar.

Po ashtu, rektori Musaj ka theksuar se universiteti që ai e drejton është në përgatitje edhe të një programi vetëm në gjuhën angleze me një universitet holandez, i cili sipas tij, është i pari jo vetëm në Kosovë por edhe rajon.

“Shembull jemi në fazën e përgatitjes së një programi vetëm në anglisht që rrallë ka një universitet publik, jo në Kosovë, nuk ka asnjë por edhe në universitetet e rajonit, me një universitet holandez për menaxhimin e mbetjeve industriale por edhe të amvisërisë për trajtimin e ujërave të shkarkuara që ësh të një drejtim shumë i nevojshëm.

Kosova vuan nga kjo problematikë që e ka, Mitrovica e ka këtë specifikë, ndaj edhe kjo përvojë e gjatë akademike e Mitrovicës na ka ndihmuar që të merremi me këtë problematikë dhe mendoj që jemi, qe dy vite ky projekt veç po ecë, jemi në finalizim të programit të studimit”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Universiteti i sapothemeluar qëndron mirë edhe me laboratorë. Ai shtoi se Universiteti i Mitrovicës posedon laboratorë që kapin kosto shumë të lartë të të hollave, të cilët edhe mund të shërbejnë për analiza të ndryshme industriale që në të shumtën e rasteve kryhen jashtë Kosovës.

“Ne i kemi disa laboratorë që nëse i marrim nga ajo kostoja monetare kushtojnë shumë, andaj edhe këto laboratorë ne ka vite që i kemi, laboratorë që nuk i kanë në Kosovë, nuk ka një laborator tjetër, as që është arsimor por as ndërmarrje që i ka.
Është një rast i mirë sepse studentët këtu po përgatiten, tani është një diçka tjetër se studentët nuk e duan shkencën shumë teknike por duan më shumë të kryejnë drejtime që të rrinë në zyre, jo me dalë me punu në fushë ose fabrikë, mirëpo, tek shkencat teknike, ne me përgjegjësi mbulojmë, nuk them që janë të përkryera sepse teknika po ndryshon por të 18 programet teknike, ne i mbulojmë edhe me laborator shumë të mirë edhe moderne”, është shprehur ai.

Musaj ka theksuar se e ka shpreh gatishmërinë që laboratorët që i posedon Universiteti i Mitrovicës të mund të shfrytëzohen nga studentët e të gjitha universiteteve publike në Kosovë, derisa nëpër këto universitete të blihen laboratorë të fushave tjera, duke mos i dyfishuar laboratorët e së njëjtës fushë në disa institucione.
Rektori Musaj ka thënë se që nga themelimi i Universitetit të Mitrovicës, është rritur numri i studentëve dhe interesimi i tyre për të gjitha programet e studimit duke i përfshirë edhe ato të mëhershmet.

“Kemi interesim shumë më të mirë krahasuar me vitet shumë më përpara sepse ndoshta ardhja e më shumë studentëve të rinjtë i bënë edhe kureshtarë, kurse, te drejtimet e reja konkurrenca është shumë e madhe. Ne i kemi pas 9 kandidatë për një indeks, shembull tek Fakulteti i Edukimit, por ne nuk po vazhdojmë me praktikën që të pranojmë sa interesohen, nga 960 kandidatë janë pranuar 150, nuk kemi pasur dëshirë të rrisim numrin dhe pastaj të rinjtë janë të drejtuar në këto drejtime por këto drejtime jo gjithmonë ofrojnë vende të punës.
Ka shumë të interesuar në drejtimet sociale por ne e kemi numrin më të kufizuar krahasuar me disa universitete tjera publike, besoj që është e arsyeshme sepse nuk është vetëm të regjistrohen, në edukim 6 00 studentë ose 900 që janë paraqit brenda vitit dhe ata çka do të bëhen, do të bëhen një diplomë të edukimit dhe pastaj nuk ka një fushë specifike, kurse në shkencat teknike, ai del dhe profesionist i mirë por del edhe një punëtor i arsimit i mirë dhe ka mundësi tjera të punësimit”, ka thënë ai.

Qeveria e Kosovës tashmë veç e ka filluar edhe projektin për ndërtimin e një kampusi për Universitetin e Mitrovicës, pasi tashmë ky institucion i shfrytëzon kryesisht objektet e ndërmarrjes Trepça.

“Kampusi i ri po bëhet në qendër të qytetit, është interesant se si është ruajtur ajo pjesë dhe Komuna e Mitrovicës e ka falë për universitetin. Ministria e AdministratësPublike e menaxhon projektin dhe me infrastrukturën, me dijen time është 14 milionë euro me gjithë objektet, deri në fazën përfundimtare. Tani në këtë fazë është 17 mi jë metra katrorë të objektit të parë, një objekt shumë i mirë, shumë impozant, shumë përfaqësues edhe mendoj që po ofrohen kushte të mira, po bëhen kushte të mira studimi vetë nga Qeveria e Kosovës”, ka deklaruar ai.

Universiteti i Mitrovicës aktualisht posedon 3200 studentë me 88 profesor të rregullt dhe 107 të angazhuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat