Oda amerikane nuk e mbështet kontratën kolektive si të tillë

Lajme

Oda amerikane nuk e mbështet kontratën kolektive si të tillë

Më: 1 maj 2016 Në ora: 12:48

Përfaqësues nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kanë thënë për KosovaPress se Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive e nënshkruar në vitin 2014, nuk është e mbështetur në legjislacionin aktual të punës dhe si e tillë nuk ka fuqi ligjore, dhe nuk mund të jetë e aplikueshme nga ndërmarrjet në Kosovë.

Visar Hapçiu nga Oda Ekonomike Amerikane, tha për KosovaPress se qysh në janar të vitit të kaluar OEAK, ka tërhequr vërejtjen mbi kontratën kolektive, sepse si e tillë, kompanitë që OEAK ka në anëtarësi nuk e kanë marrë obligim për implementimin e saj.

Hapçiu: Kontrata si e tillë është e pazbatueshme

“Oda Amerikane qysh në janar të vitit 2015 ka tërhequr vërejtjen mbi kontratën kolektive dhe mbi dyshimet se e njëjta mund të jetë në kundërshtim me ligjin bazik të punës. Nëse më kujtohet saktë është neni 90.5, ku thuhet se marrëveshja kolektive vlen për të gjithë ata punëmarrës dhe punëdhënës që i marrin përsipër obligimet e dala nga kontrata kolektive. Tani meqenëse nuk ka pasur një proces të konsultimit publik një proces të dialogut me kompani drejtpërdrejtë nuk mund të thuhet se ato e kanë marrë përsipër obligimet e dala nga marrëveshja kolekti ve”, tha Haçiu.

Hapçiu ka rikujtuar se qëndrimi i Odës Ekonomike Amerikane e mbështesin të gjithë anëtarët e saj.

Hapçiu: Oda Ekonomike e Kosovës e kishte tërheq nënshkrimin

“Për më shumë edhe Oda Ekonomike e Kosovës dihet që pas fillimit të vitit 2015-të, e ka tërhequr nënshkrimin e saj nga marrëveshja kolektive dhe siç e ka thënëministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale publikish, Kontrata Kolektive nuk është më e zbatueshme për sektorin privat. Ky është edhe një qëndrim i Odës Amerikane që ka dal prej vetë anëtarëve të saj meqenëse, dihet se Odat Ekonomike marrin drejtpërdrejtë qëndrimet bazuar në kërkesat që i kanë anëtarët e tyre. Në anën tjetër, ne si Odë Amerikane besojmë fuqishëm se duke e pasur parasysh shkallën e zhvillimit ekonomik në të cilin kalon Kosova dhe duke i njohur sfidat me të cilat ballafaqohet sektori privat, institucionet e vendit duhet të përqendrojnë vëmendje n e tyre në hartimin politikave që do të mundësojnë zhvillimin e këtij sektori në krijimin e vendevetë reja të punës”, tha Hapçiu.

Ai po ashtu tha se Kontrata Kolektive, do të rriste barrën e vendeve të punës tek sektori privat dhe për shakë se çfarëdo rritje e barrës nuk mund të ndikojë në rritjen e punëtorëve në sektorin privat.

Hapçiu: Sektori privat nuk është i gatshëm për këtë marrëveshje

“Në fund të vitit 2014 e kemi pasur një tryezë me Ministrinë e Punës, gjegjësisht me departamentin ligjor, ku gjithë anëtarët kanë mundur drejtpërdrejt t’i shprehin edhe qëndrimet e tyre kundrejt Ministrisë së Punës për këtë marrëveshje kolektive edhe në masë të madhe kompanitë anëtare nuk e kanë përkrahur marrëveshjen kolektive si të tillë.Duke pasur parasysh gjendjen e tanishme të zhvillimit ekonomik nuk është i gatshëm sektori privat ta marrë këtë barrë përsipër”, tha Hapçiu.

Redaksia e KosovaPress-it, për një javë rresht nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, pasi ky i fundit ka zgjedhur të i shmanget përgjigjes. Po ashtu, edhe zyrtari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, i cili e kishte tërhequr nënshkrimin që një herë e kishte përkrahur, nuk ka pranuar të jap prononcim. Për këtë çështje nuk duan të flasin as në Odën Ekonomike Gjermane.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat