Si e vlerëson gazeta Guardian librin e Blendi Fevziut për Enver Hoxhën?

Lajme

Si e vlerëson gazeta Guardian librin e Blendi Fevziut për Enver Hoxhën?

Më: 1 maj 2016 Në ora: 00:49

Gazetari i njohur britanik, Jonathan Steele, njohës shumë i mirë i historisë dhe politikës së Shqipërisë dhe Kosovës, ka botuar në gazetën The Guardian recension për biografinë e Enver Hoxhës shkruar nga Blendi Fevziu, e cila është përkthyer në anglisht me titullin: “Enver Hoxha: The Iron Fist of Albania”.

Jonathan Steele: Tirani i Republikës Popullore

Në vitin 1973, kur diktatura e Enver Hoxhës ishte në kulmin e saj, unë hyra në shtetin më të izoluar të Europës duke u paraqitur si profesor universitar. Gazetarëve iu mohohej dhënia e vizave në mënyrë rutinore prandaj duhej të aplikoheshin mashtrime për ta kaluar kufirin.

Njëra ndër përvojat më të paharrueshme gjatë udhëtimit dyjavor me autobus ishte vizita në kinemanë e hapur të qytetit detar të Durrësit. Filmi kryesor ishte një version me zë kërcitës i Henrit të Pestë me Laurence Olivier, që vazhdoi me komedi të shkurtër të Norman Wisdom. Me kapelën e tij të shtrembëruar prej stofi, censorët e Partisë së Punës së Shqipërisë supozonin se ai ishte shembull i betejave inspiruese të individit nga klasa punëtore angleze.

Momenti më i rëndësishëm ishte ai i video lajmeve. Në to u shfaq ceremonia e hapjes së Kongresit të Grave të Shqipërisë. Një rend i gjatë i grave pritnin të përshëndeteshin nga Enver Hoxha.

I veshur me tesha kat me ngjyrë të hirtë të çeltë, me kapele të gjerë, ai e përqafonte secilën delegate – gjatë dhe me kujdes të posaçëm. Kjo skenë dukej sikur e kombinonte sjelljen e një Doni mafioz me praktikën mesjetare droit de seigneur (të drejtën e feudalëve që të flinin me vajzat të cilat po përgatiteshin për natën e tyre të parë të martesës), krejtësisht ndryshe prej jetës familjare të liderëve puritanë që udhëhiqnin me shtetet tjera komuniste në atë kohë.

Video lajmet jepnin vetëm aspektet e shkurtra të jetës politike në Shqipëri.

Për ta zbuluar se çfarë në të vërtetë ndodhte në qarqet e partisë nën kontrollin e Enver Hoxhës duhet ta lexojmë biografinë e tij të hulumtuar mirë nga Blendi Fevziu. Pa marrë parasysh nëse Enver Hoxha kishte apo jo shumë femra, biografia ofron argumente të shumta se ai ishte tiran.

Blendi Fevziu

Tri dekada pas vdekjes së Stalinit, periudhë gjatë të cilës terrori i paparashikueshëm i kishte lënë udhë një represioni më të përballueshëm në Bashkimin Sovjetik, Shqipëria e Enver Hoxhës i vazhdonte praktikat më të këqija të autokracisë – eliminimet, torturat, pranimet degraduese të fajësisë dhe ekzekutimet. Ato kishin të bënin më shumë me shokët e vjetër brenda Politbyrosë sesa me qytetarët e thjeshtë. Nga gjashtë bashkëthemeluesit e partisë, vetëm njëri vdiq në shtratin e shtëpisë. Të tjerët u vranë apo u burgosën.

Blendi Fevziu e bazon katalogun e tij të horrorit mbi arkivat e partisë që janë hapur tash, si dhe në intervistat me djemtë, vajzat dhe bashkëshortet e viktimave të Enver Hoxhës, të realizuara për televizionet shqiptare apo enkas për këtë libër.

Ndër rastet më të pamëshirshme është ai i Mehmet Shehut, i cili për shumë vite ishte kryeministër, deri në vetëvrasjen e tij në 1981, një natë para mbledhjes së Politbyrosë në të cilën ai do të akuzohej. Krimi i tij? Nuk e kishte parandaluar djalin e tij të fejohej me vajzën e personit që e kishte kushëri të afërt një antikomunist i cili jetonte në Amerikë dhe shpesh e denonconte Enver Hoxhën në televizionet perëndimore.

Letra lamtumirëse e Shehut për “Shokun Enver” ishte zbuluar në vitin 2003. Në të shkruante: “Mund të më quani si të doni, unë nuk mund t’jua ndaloj! Por, unë po e jap jetën për partinë. Dëshira ime e fundit është: Ruajeni partinë dhe socializmin…”. Martesa nuk u bë, ndonëse Fevziu lë të nënkuptohet se arsyet e vërteta të ndarjes së Hoxhës dhe Shehut mund të kenë qenë mospajtimet për politikat.

Përkundër stilit pompoz të jetesës, Enver Hoxha, adhurues i Agatha Christie, kishte dëshirë të kalonte kohë i vetëm me libra. Ai e kishte një bibliotekë të madhe dhe rregullisht blinte libra nga katalogët e dërguar prej botuesve francezë. Familja e diktatorit njëherë i kishte alarmuar njerëzit e sigurimit për “zhdukjen” e tij: pastaj e kishin gjetur në bibliotekë, në orët e hershme të mëngjesit, me një libër në dorë dhe batanije mbi supe. Gjithashtu, Enver Hoxha shkroi shumë. Mbajti ditar, shkroi apo diktoi më shumë se 60 vëllime të kujtimeve, dhe kishte marrëdhënie të ndërlikuar me shkrimtarin e njohur ndërkombëtarisht, Ismail Kadare, i cili vazhdoi të jetonte në Shqipëri edhe nën sundimin e tij.

Në kujtimet e saja, gruaja e Hoxhës thotë se Enveri shpesh e humbte durimin e tij me shkrimet e Kadaresë, por i kishte ardhur në mbrojtje në kohëra kritike.

Jashtë Shqipërisë, Hoxha adhurohej nga disa radikalë perëndimorë për denoncimin e çdolloj imperializmi, nga ai jugosllav e deri te sovjetik, kinez dhe amerikan.

Bir i një imami, ai u vlerësua në disa qarqe edhe për mbylljen e të gjitha xhamive dhe kishave, duke e shpallur Shqipërinë shtetin e parë ateist në botë. Guximi i tij për t’u prishur me aleatët e fuqishëm u bë legjendar. Në mars të vitit 1948, Politbyroja e tij politike e miratoi bashkimin mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, por më pas diktatori i kuptoi planet e jugosllavëve për ta zëvendësuar atë me një koleg, Koçi Xoxen. Kur Stalini e denoncoi Jugosllavinë disa javë më vonë, në përpjekje për ta krijuar një fuqi rajonale që do ta lidhte Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë, Politbyroja shqiptare e braktisi bashkimin dhe kritikoi ashpër Marshal Titon e Jugosllavisë. Të gjithë ekspertët jugosllavë u dëbuan. Koçi Xoxe u ekzekutua.

Dymbëdhjetë vjet më vonë i erdhi radha Moskës. Enver Hoxha e përsëriti dënimin e krimeve të diktatorit dhe kultit të personalitetit nga ana e Hrushçovit në vitin 1956, por nuk i pëlqeu afrimi i udhëheqësit të ri sovjetik me Titon. Në vitin 1960, në një takim të partive komuniste në Moskë, Enver Hoxha u rreshtua me kinezët. Më vonë, në vitin 1978, ai u prish edhe me Pekinin në shenjë proteste ndaj “revizionizmit” të Deng Xiaopingut pas rivendosjes së marrëdhënieve me Amerikën.

Blendi Fevziu i trajton mirë këto çështje. Por, por sa i përket debateve për politikat e brendshme shqiptare dhe aktivitetet e Enver Hoxhës gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai fatkeqësisht është njëdimensional.

Antipatia e tij ekstreme ndaj Enver Hoxhës si person, dhe ndaj komunistëve në përgjithësi, e ngushton shkrimin e tij në ofendues. Ai nuk shkruan asgjë për përparimin socioekonomik të Shqipërisë në 15 vitet e para të regjimit komunist dhe transformimin e shtetit nga një vend feudal, diktaturë të bazuar në fise, në një shtet modern, me tharjen e kënetave bregdetare, çrrënjosjen e malaries, fushatat e suksesshme kundër analfabetizmit, zgjerimin e shërbimeve shëndetësore, si dhe zhvillimin e industrive të nxjerrjes së burimeve, edhe pse me një fuqi punëtore gjysmë-ushtarake.

Libri pothuajse nuk e përmend fare shkatërrimin e krijuar prej okupimit italian fillimisht, e pastaj nga ai gjerman, që ishte trashëguar nga qeveria e pasluftës.

Analizimi i rivalitetit mes komunistëve dhe përkrahësve të Ballit Kombëtar në periudhën e rezistencës gjatë kohës së luftës është tendencioz. Blendi Fevziu thotë se Enver Hoxha i frenoi partizanët e tij ashtu që gjermanët të koncentroheshin në vrasjen e nacionalistëve antikomunistë.

Historiografia shqiptare është fushë e vështirë, por dominojnë mendimet – përfshirë edhe atë të Reginald Hibbert, i cili ishte zyrtar ndërlidhës i kohës së luftës mes Britanisë dhe rezistencës shqiptare, e më vonë diplomat eminent- që e përkrahin vijën e kundërt. Shumë “nacionalistë” bashkëpunuan me gjermanët dhe ishin partizanët komunistë ata që i bënë luftimet më të mëdha – kjo ishte arsyeja që ata ishin grupi i cili e mori kontrollin e vendit pas çlirimit.

Enver Hoxha nuk ishte më i guximshmi as më efikasi mes partizanëve, por u bë udhëheqës falë fatit dhe dinakërisë mashtruese.

Popullariteti i tij ishte autentik dhe i përhapur gjerësisht, së paku për një kohë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat