Reagon AKK-ja: Nuk kemi as mandat e as mundësi për ta vërtetuar rregullsinë ose jo të pronave

Lajme

Reagon AKK-ja: Nuk kemi as mandat e as mundësi për ta vërtetuar rregullsinë ose jo të pronave

Më: 30 prill 2016 Në ora: 23:31

Agjencia Kadastrale e Kosovës (AKK), ka reaguar sot ndaj deklaratës së Shkelqim Latifajt, emri i të cilit është i publikuar në listën e të ashtuquajturit “grupi kriminal”, i cili pasi pretendon se është i dëmtuar, ka thënë se po qe se del ndonjë parregullsi në dokumentacionin e pronës, atëherë duhet të arrestohet edhe Murat Meha.

AKK-ja ka thënë se përmendja e Mehës nga ana e Latifajt, mund të jetë bërë për vetëm dy qëllime.

“Ne besojmë se përmendja e emrit të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës nga i intervistuari juaj ka mundur të bëhet për dy arsye; ose nga mungesa e njohurisë mbi mandatin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës ose me tendencë dhe me prapavijë tjetër”, thuhet në reagim.

Në artikullin me titull “Shkelqim Latifaj: Jam palë e dëmtuar, s’kam të bëj me Azem Sylën. Nëse del diçka, duhet të arrestohet edhe Murat Meha!”, botuar në portalin tuaj me datë 30 prill 2016, në deklaratën e të intervistuarit nga Ju, z. Latifaj, pa të drejtë është përfolur edhe emri i Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës Prof. Dr. Murat Meha.

Ne besojmë se përmendja e emrit të Kryeshefit Ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës nga i intervistuari juaj ka mundur të bëhet për dy arsye; ose nga mungesa e njohurisë mbi mandatin e Agjencisë Kadastrale të Kosovës ose me tendencë dhe me prapavijë tjetër.

Prandaj, me qëllim të informimit të drejtë tuajin japim sqarimin si vijon;

Agjencia Kadastrale e Kosovës është përgjegjëse për mirëmbajtjen e regjistrave pronësorë, ndërsa regjistrimin e pronave e bën eksluzivisht në bazë të vendimeve të plotëfuqishme të gjykatave; vendimeve të organeve administrative shtetërore; kontratave për bartjen e së drejtës së pronës së paluajtshme të vërtetuar nga organet kompetente; vendimeve apo kontratave për privatizim të lëshuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit; vendimeve të Komisionit për rindërtimin e kadastrit; vendimeve të Komisionit për rregullimin e tokave; dhe dokumenteve tjetra që me ligje të veçanta parashihet regjistrimi i të drejtave pronësore.

Kjo nënkupton se Agjencia Kadastrale e Kosovës është vetëm servis i cili regjistron prona në bazë të vendimeve te nxjerra nga institucione tjera shtetërore dhe nuk ka kompetenca vendimmarëse lidhur vërtetimin e rregullsisë ose jo të dokumenteve të lëshuara nga institucionet tjera relevante.

Si e tillë, AKK nuk ka as mandat e as mundësi për të vërtetuar rregullsinë ose jo të pronave, si pretendon i intervistuar juaj.

p.s

Duke rrespektuat thellësisht pavarësinë tuaj editoriale, duke e ditur edhe faktin se emri i z. Meha është thënë nga i intervistuari e jo nga Ju, me mirësjelljen më të madhe kërkojmë nga ju që sipas mundësisë të rishikoni së paku titullin e këtij artikulli, duke besuar se përmendja e emrit të Kryeshefit të AKK-së në titull nuk reflekton me gjendjen reale.

Sinqerisht,

Zyra për Marrëdhënie me Publik
Agjencia Kadastrale e Kosovës

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat