Urime për ndryshimet shpresdhënëse për shpëtimin e Luginës së Preshevës

Lajme

Urime për ndryshimet shpresdhënëse për shpëtimin e Luginës së Preshevës

Më: 30 prill 2016 Në ora: 13:36

Ju urojmë përzemërsisht për suksesin e arritur në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të 24 prillit 2016!

Edhepse me keqardhje mësuam rezultatet e arritura në këto zgjedhje parlamentare, meqë shqiptarët e Luginës së Preshevës arritën të fitojnë vetëm një, nga tre deputetë të mundshëm, në Parlamentin e Serbisë.

Posaçërisht na brengosi fakti se partitë politike shqiptare nuk ishin unikë, e sidomos na hidhëroi fakti se disa nga subjektet politike shqiptare votuan listat serbe dhe boshnjake, e jo ata të listës shqiptare "Ardita Sinani".

Me këtë u dëshmua fakti i trishtueshëm se akoma ka shqiptarë, në atë pjesë të Shqiptarisë, që çojnë "ujë në mulli të huaj" dhe i dëmtojnë rëndë interesat kombëtare të shqiptarve.
Andaj, ne si Shoqatë e shqiptarve të Luginës së Preshevës, me seli në Prishtinë, e gjykojmë rëndë këtë veprim antikombëtar!

Kurse, rezultatet e zgjedhjeve lokale në Preshevë dhe Bujanoc, ishin inkurajuese, meqë fitoi opsioni për ndryshime dhe për shpëtimin e Luginës së Preshevës.

Ky rezultat fitues i gëzoi të gjithë shqiptarët, kudo që janë!

Sepse, shqiptarët e Luginës i dhanë një grusht të merituar mafisë së biznespolitikës antishqiptare dhe kishte katandisur si është më zi fatin dhe pozitën e shqiptarve në atë pjesë të trungut kombëtar, me grabitjen e buxheteve komunale dhe pasurimin e pushtetmbajtësve shqiptarë dhe familjarëve të tyre në Preshevë dhe Bujanoc, nga plaçkitja e pasurisë publike.
Koalicioni Alternativa për Ndryshim - Partia për Veprim Demokratik, i arritur në afatin rekord, menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, na gëzoi pa masë dhe dëshmoi se këto forca politike shqiptare synojnë qeverisje të mirë dhe të suksesshme, e jo ndarje postesh e interesash për grabitje dhe pasurim personal, siç vepruan pushtetmbajtësit e kaluar 12 vjet me radhë, që kishin degraduar e përkeqësuar skajshmërisht pozitën e shqiptarve në Luginë:
* me mbylljen e gjykatave në Preshevë e Bujanoc,
* mbylljen e bankave afariste e komerciale,
* papunësinë ekstreme,
* ngecjen zhvillimore,
* zhvatjen e buxheteve komunale në konto dhe xhepa privatë të pushtetmbajtësve dhe firmave në emër të familjarëve të tyre,
* me ngulfatjen e arsimit shqip në Luginë, duke e lënë pa tekste dhe mjete elementare mësimore në gjuhën shqipe, si dhe
* me humbjen e shpresës për një jetë më të mirë dhe shpërnguljen alarmante që rrezikon realisht boshatisjen e këtyre trojeve stërgjyshore të tyre dhe
* me rrezikun për krijimin e "Çamërisë së dytë" në Ballkan, etj.
Sidomos na inkurajon dhe na gëzon fakti se me këto zgjedhje do t'i priten rrënjët bashkëpunimit ogurzi të partive shqiptarve për kauzën serbe për ndarjen e Kosovës, si dhe matrapazllëqeve të pista antishqiptare me Lapidarin e UÇPMB-së dhe me vlerat e luftës e me gjakun e dëshmorëve për liri.
Gjithashtu, urojmë që edhe në komunën e Bujanocit të përfundojnë me sukses marrëveshjet për koalicionin qeverisës 2016-2020, në parime të shëndosha dhe fer, sipas përbërjes nacionale të kësaj komune, që dmth. 63% të pushtetit lokal t'i takoj partive politike shqiptare dhe 37% partive serbe, duke e përfshirë edhe këshilltarin rom në qeverisje.

Me këto kritere parimore të qeverisjes së pushtetit lokal në Preshevë dhe në Bujanoc, të prirë nga koalicionet fituese të shqiptarve, Lugina e Preshevës do të siguroj një qeverisje transparente, demokratike e parimore, në interes të shqiptarve të Luginës dhe më gjërë, e cila do i rikuperoj marëdhëniet dhe raportet e dëmtuara e të sfiduara nga qeverisja e kaluar, me Kosovën, Shqipërinë, me shqiptarët e Maqedonisë dhe të Malit të Zi e me diaspirën shqiptare në Europë, në SHBA dhe gjithandej nëpër botë, e veçanërisht me ambasadat e shteteve mike në krye me atë të SHBA-së dhe të BE-së dhe me mbarë botën demokratike.
Ju priftë e mbara!
Zoti e bekoftë Luginën e Preshevës dhe të gjithë Shqiptarët, kudo që janë!

Prishtinë, më 29 prill 2016

Kryetari,
Mr. Nehat Hyseni

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat