Hillary Clinton: 25 gjëra që nuk i dini për mua

Lajme

Hillary Clinton: 25 gjëra që nuk i dini për mua

Më: 30 prill 2016 Në ora: 08:57

Ish-Sekretarja e Shtetit e SHBA, aktualisht kandidate për Presidente, Hillary Clinton, ka ndarë 25 fakte deri diku argëtues mbi jetën e saj, për revistën amerikane US Weekly:

1- Më pëlqejnë mezet e lehta me speca djegës dhe vendos salcë djegëse në gjithçka.

2- Jam një njeri që i studioj deri në imtësi politikat, ndonëse ky është një sekret që e kam ruajtur keq.

3- Kam takuar Martin Luther King Jr kur isha 14 vjeç. Ministri i Kishës sonë na mori për ta dëgjuar të fliste dhe unë arrita t’i shtrëngoj dorën.

4- Nuk arrij dot kurrë të këndoj një melodi. Mësuesja ime e korit më kërkonte që vetëm të lëvizja gojën. Dikur i këndoja time bije, Chelsea, kur ishte bebe, deri kur ajo tha: “No sing Mommy, no sing” (“Jo këngë, mami, jo këngë”). Miqtë e mi nuk e besojnë që kam kënduar në një nga emisionet e Saturday Night Live.

5- Bill Clintoni më propozoi dy herë, përpara se të thoja po.

6- Unë isha Senatore e SHBA për Nju Jorkun kur ndodhi 11 shtatori, dhe ende ndiej detyrimin për të siguruar që, personat që shkuan të parët për të dhënë ndihmë, të marrin trajtimin mjekësor që meritojnë.

7- Si Sekretare Shteti, kam shkuar në 112 vende dhe kam udhëtuar 956 733 milje. (Po, dikush i numëroi!)

8- Babai im, Hugh Rodham, ishte biznesmen i vogël. Ai prodhonte copa për perde. Ne të gjithë e ndihmonim.

9- Mes ndalesave të fushatës dhe dokumentave informues që më sjellin, si dhe copëzave të lajmeve, më pëlqen të pushoj dhe të lexoj romanet e mi misteriozë.

10- Kur isha vajzë e re, i kam shkruajtur NASA-s që ta pyesja nëse mund të bëhesha astronaute. Ata më kthyen një letër, me shumë mirësjellje, ku më thoshin se nuk pranojnë vajza.

11- Çokollata është dobësia ime… ashtu si edhe peshqit e verdhë.

12- Mamaja ime, Dorothy Rodham, ishte demokrate dhe babai im, Hugh Rodham, ishte republikan. Kështu që, në çdo palë zgjedhje, ata “eleminonin” votën e njëri-tjetrit.

13- Unë jam, dhe do të jem gjithmonë, një tifoze e Beatles. Po kështu, më pëlqen vërtetë shumë Adele.

14- Një prej gjërave që më pëlqejnë më shumë nga fushata janë historitë personale që njerëzit ndajnë me mua. Disa prej tyre ma thyejnë zemrën. Disa janë frymëzuese. Unë mësoj nga të gjitha. Është vërtetë e rëndësishme për mua, që të mësoj në vetë të parë atë që ndodh në jetët e njerëzve.

15- Kur jam në Nju Jork, udhëtoj me një furgon të madh. Ka sedilje të mëdha dhe të rehatshme dhe një pajisje reale për energji elektrike. Fushatën e nisa duke shkuar me të deri në Ajoua.

16- Puna ime e parë jashtë shkolle ishte me Fondin e Mbrojtjes së Fëmijëve. Nuk doja të futesha në një kompani të madhe. Doja të isha avokate për fëmijët e varfër. Të punosh për t’u dhënë fëmijëve një shans më të mirë për të ardhmen, ky ka qenë fokusi im që atëherë.

17- Billi dhe unë pëlqejmë të dalim në shëtitje të gjata me dy qentë tanë, Maisie dhe Tally. Ishim në një nga këto shëtitje, kur presidenti Obama më telefonoi dhe më kërkoi të bëhem Sekretare Shteti.

18- Pyetja që më bënin më shpesh kur isha jashtë vendit ishte: “Si mund të punosh për njeriun që të mundi?” Përse e bëra? Sepse kur presidenti yt të kërkon të shërbesh, thuaj po. Nuk mund të isha më e kënaqur.

19- Mamaja ime më thoshte gjithmonë: “Të gjithë rrëzohen. Ajo që ka rëndësi është që të ngrihesh dhe të vazhdosh të ecësh”. Këshilla më e mirë që kam marrë ndonjëherë.

20- Ja një gjë që nuk do të habisë askënd: Prej vitesh i kam lyer flokët.

21- Dikur kisha një punë, ku prisja salmon në një fabrikë konservimi në Alaskë. Ishte po aq e bukur sa dhe tingëllon.

22- Një prej gjërave që kam mësuar në fushatë është se sa serioz është bërë problemi i abuzimit me substancat në vendin tonë. Jam e vendosur të merrem.

23- Unë bëj joga. Jo aq sa duhet.

24- Qëndroj në kontakt me shumë njerëz nga të gjithë pjesët e jetës sime, dhe takohem sa më shpesh që mundem. Kohët e fundit, teksa isha në Chicago, takova Betsy Ebeling, shoqja ime më e ngushtë kur u rritëm në Park Ridge, Illinois.

25- Unë jam mbesa e një punëtori mulliri. Dhe gjyshja e Charlotte, (18 muajshe), që është mbesa më e përsosur në botë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat