Dushi: Zgjedhjet i kushtojnë vendit 5 milionë euro (Video)

Lajme

Dushi: Zgjedhjet i kushtojnë vendit 5 milionë euro (Video)

Më: 29 prill 2016 Në ora: 22:52

Në rast që nuk ka zgjedhje para afatit që e përcakton ligji (2018) atëherë ka kohë të mjaftueshme të bëhet reforma e ligjit zgjedhor. Kështu ka deklaruar në emisionin “Kontakt”, anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi.

“Legjislatura e kaluar e ka pasur të formuar një komision ad hoc për reformën zgjedhore dhe është një punë që është bërë gjatë asaj kohe në ndryshimin e ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale. Por ato ndryshime nuk kanë mundur të kalojnë në Kuvend dhe praktikisht kanë mbetur. Unë mendoj që një komision i të njëjtit format do të mund të merrte parasysh edhe njëherë atë punë që është bërë nga komisioni i kaluar, ta rishikonte sepse ka ndoshta edhe tema të tjera që subjektet politike janë të interesuara që të bëjnë ndryshime. Pra periudha që mbetet është e mjaftueshme që të kalojë ky ligj në Kuvend”, ka deklaruar Florian Dushi, duke shtuar se po ashtu do të kishte kohë edhe për KQZ-në për t’i harmonizuar aktet nënligjore me ligjin e ri të zgjedhjeve.

KQZ në këtë aspekt, sipas Dushit, mund të kontribuojë aq sa nuk mund të kontribuojë askush tjetër në këtë proces.

“KQZ mund të jap p.sh kontributin e vet në reformën e ligjit të format e numërimit të votave. Kemi identifikuar që të gjitha parregullsisë ndodhin në momentin e numërimit të votave nga anëtarët e këshillave të votimit. Ka ide që në të ardhmen kutitë e votimit të mos hapen dhe të mos numërohen në vendvotime por ato të mbyllen pastaj të dërgohen në qendra komunale dhe aty të numërohen nën praninë e vëzhguesve dhe të kamerave”, ka thënë ai.

Në rast që subjektet politike bien dakord për ta quar vendin në zgjedhje të parakohshme, atëherë sipas Dushit, KQZ është e gatshme të merret me organizimin e tyre.

“Këtë e kemi dëshmuar edhe në të kaluarën kur kemi organizuar zgjedhjet brenda një muaji”, ka deklaruar ai. Sipas Dushit, zakonisht zgjedhjet kushtojnë rreth 5 milionë euro, komplet organizimi tyre. “Pjesa më e madhe e këtij shpenzimi shkon për pagesat në këshillat e vendvotimeve, për trajnerët, për komisionet komunale të zgjedhjeve në formë të pagave apo të mëditjeve që paguhen këta zyrtarë e që janë diku rreth 30 mijë njerëz që angazhohen në procesin e zgjedhjeve. Dushi ka folur edhe për bërjen e një ligji për partitë politike dhe për mënyrën e hartimit të tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat