Vetëvendosje në Malishevë, nuk lejon PDK-në ta vendos foton e Thaçit në kuvendin komunal

Lajme

Vetëvendosje në Malishevë, nuk lejon PDK-në ta vendos foton e Thaçit në kuvendin komunal

Më: 29 prill 2016 Në ora: 17:32

Lëvizja VETËVENDOSJE! Qendra në Malishevë ka reaguar nëpërmjet një komunikate për media pasi sipas tyre asambleistë të PDK-së kanë tentuar ta ngjesin dhunshëm fotografinë e Presidentit Thaçi në Kuvendin Komunal.

Më poshtë komunikata e plotë:

Sot derisa po pritej të vazhdonte mbledhja e rregullt e Kuvendit Komunal të Malishevës, grupi i asamblistëve të PDK-së tentoi që dhunshëm ta vendosë fotografinë e Hashim Thaçit në ambientet e sallës së Kuvendit Komunal.

Mirëpo, ata nuk arritën ta realizonin skenarin e tyre i cili synonte të sillte dhunë në sallën e kuvendit pasi që hasën në kundërshtim të asamblistëve përfshirë ata të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Kryetarit të Komunës dhe qytetarëve që nuk lejuan një gjë të tillë.

Mënyra dhe logjika e veprimit të asamblistëve të PDK-së ngjasonte me ditën kur Thaçi arriti të votohej si president duke anuluar demokracinë, duke nxjerrë dhunshëm nga Kuvendi dhe duke arrestuar deputetët e opozitës.

Qytetarët e Malishevës e kanë bërë të qartë se nuk njohin për president një individ karriera politike e të cilit është e përshkuar me kompromise dhe marrëveshje anti-shqiptare ndaj Serbisë nga njëra anë dhe me dhunë krim e korrupsion ndaj popullit të vet.

Ashtu siç e kemi thënë më parë vazhdojmë ta themi edhe sot që Hashim Thaçi nuk është dhe kurrë nuk do të jetë president i Republikës së Kosovës.

Prandaj nuk do ta pranojmë e njohim asnjëherë si president të Republikës sonë. Do ta kundërshtojmë vazhdimisht dhe pa kompromis ashtu siç e kundërshtuam sot tentim vendosjen e dhunshme të fotografisë së pasardhësit politik të Rrahman Morinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat