​Thaçi në takim me kryetaren e KQZ-së, shuan shpresat e opozitës për zgjedhje të parakohshme

Lajme

​Thaçi në takim me kryetaren e KQZ-së, shuan shpresat e opozitës për zgjedhje të parakohshme

Më: 29 prill 2016 Në ora: 14:09

(E plotësuar) - Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi po vazhdon edhe më tej takimet me përfaqësuesit e institucioneve të ndryshme në vend. Ai sot ka pritur në një takim kryetaren dhe anëtarët e Komisionit Qendror Zgjedhor.

Por në takim me Thaçin nuk kanë ardhur anëtarët e KQZ-së që janë nga partitë opozitare, AAK, VV dhe Nisma.

Pas takimit me kryetaren e KQZ- së, Valdete Daka, Thaçi tha se kanë diskutuar për funksionimin e mëtejmë të këtij komisioni, për të cilin tha se nuk do t’i mungojë asnjëherë përkrahja nga Presidenca.

Ai ka përmendur Ligjin për Financimin e Partive Politike dhe Ligjin për Zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme, si dy nga temat kryesore të diskutimit, për të cilat tha se do të plotësohen.

Thaçi: Zgjedhjet në veri, sfidë në të cilën KQZ -ja ia ka dalë

“E falënderoj KQZ-në për organizimin e parë të zgjedhjeve në veri të Mitrovicës, që ka qenë një sfidë e madhe, por ia kanë dalë me punën e madhe dhe shumë të përgjegjshme. Si president i vendit do të përkrah fuqishëm punën profesionale të KQZ-së, si një institucioni i pavarur, i prirë nga kryetarja Daka. Ne duhet të punojmë maksimalisht që edhe vakuumet ligjore të cilat ekzistojnë të plotësohen, në veçanti të plotësohet Ligji për Financimin e Partive Politike apo edhe elemente të tjera të ndryshimit. Gjithashtu Ligji për zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme”, tha Thaçi.

Si shembull për të mirë Thaçi ka përmendur zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe ato të përgjithshme të vitit 2014, për të cilat ka thënë se janë shembull i zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Situatën aktuale politike Thaçi e ka cilësuar si të qetë, duke thënë se tani janë në një fazë të qetë, e jo të garave politike në kuptimin elektoral.

Thaçi: Jemi në një fazë të qetë, e jo të garave politike

“Në rastet kur partitë politike vlerësojnë se duhet të hyjmë në procesin e reformave elektorale, unë mendoj se KQZ-ja do të mund që me përvojën e vet mund të jap një kontribut shumë të rëndësishëm në këtë proces, andaj edhe tash kur jemi në një fazë, mund të themi të një stabiliteti të plotë politik, një fazë të qetë jo të garave politike në kuptimin elektoral, për më tepër të koncepteve dhe ideve çka edhe ne i përshëndesim, por gjithmonë KQZ – j ka bërë punën e vetë shumë të mirë”, tha Thaçi.

I pari i vendit ka përmendur edhe angazhimin e mekanizmave ndërkombëtarë, për të cilët tha se mund të ndihmojnë në procesin e reformave elektorale.

Se KQZ -ja do t’i përmbushë obligimet kushtetuese është zotuar kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, e cila tha se kanë marrë vlerësime pozitive nga presidenti për punën e tyre.

Daka ka shprehur gatishmëri për punë dhe angazhim edhe në të ardhmen, në mënyrë që të kenë zgjedhje të lira e demokratike.

Daka: Jemi të gatshëm t’i kryejmë obligimet tona kushtetuese

“Edhe një herë e marrim zotimin për ndihmë nga institucioni, të cilin ai e drejton për punën në KQZ dhe përkrahjen e KQZ- së në punën e mëtejme të cilën e kemi përpara. E dëgjuat edhe presidentin, morëm mirënjohje për punën që deri më tani ka kryer KQZ -ja, sidomos për zgjedhjet lokale të vitit 2013 dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2014. Këtë e kanë konfirmuar jo vetëm institucionet vendore por edhe institucionet ndërkombëtare, kanë bërë vlerësime pozitive të jashtëzakonshme në punën e KQZ-së dhe ne si KQZ deklarojmë se jemi të gatshëm që edhe në të ardhmen ta kryejmë punën tonë dhe obligimet tona kushtetuese të cilat i kemi”, tha Daka.

Thaçi në fund ka thënë se zgjedhje transparente pret edhe në vitin 2017 e 2018, duke shuar shpresat e opozitës të cilat vazhdimisht po kërkojnë zgjedhje të jashtëzakonshme.


Thaçi priti kryetaren e KQZ-së

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me bashkëpunëtorët,me të cilët bisedoi për punën e suksesshme të këtij instiutucioni.

Presidenti Thaçi falënderoi kryetaren e KQZ-së, Daka, për punën e shkëlqyer në organizimin e zgjedhjeve të mëparshme, në veçanti të zgjedhjeve lokale të vitit 2013 dhe atyre të përgjithshme më 2014.

“Puna e KQZ-së ka qenë parakusht dhe bazë e fuqishme për organizimin e zgjedhjeve fer, të lira, demokratike dhe transparente. Gjithashtu, edhe sot ju falënderoj për organizimin për herë të parë të zgjedhjeve në pjesën veriore të Mitrovicës, që ka qenë një sfidë e madhe, por që ia keni dalë me punën tuaj profesionale, të përgjegjshme”, tha Presidenti Thaçi.

I pari i vendit dhe drejtuesja KQZ-së diskutuan hapat e mëtutjeshëm për funksionimin më efektiv të këtij institucioni të rëndësishëm.

Ai tha se do të punohet maksimalisht që edhe vakumet ligjore të plotësohen për një funksionim edhe më të avancuar të këtij organizimi të rëndësishëm të vendit.

“Të plotësohet Ligji për financimin e partive politike... gjithashtu Ligji për zgjedhjet lokale dhe ai për zgjedhjet e përgjithshme”, u shpreh Presidenti Thaçi, duke shtuar se duhet edhe të “fillohet të punohet për Ligjin për funksionimin e Komisionit Qendror Zgjedhor, por edhe Ligjin për funksionimin e partive politike”.

Duke folur për nevojën për reformë elektorale, Presidenti Thaçi u shpreh se “KQZ, me përvojën dhe ekspertizën e vet, do të mund të japë një kontribut shumë të rëndësishëm në këtë proces, në kuadër të të cilit është e mirëseardhur edhe ndihma e mekanizmave profesionalë ndërkombëtarë, të tillë si Komisioni i Venedikut dhe të tjerë”.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se edhe një herë e mori zotimin e presidentit Thaçi dhe të institucionit të cilin ai e drejton për punën e KQZ-së dhe për përkrahjen e KQZ-së në angazhimet e mëtejme.

“Ne pranë KQZ-së jemi të gatshëm që edhe në të ardhmen ta kryejmë punën tonë dhe obligimet tona kushtetuese”, ka thënë kryetarja e KQZ-së, Daka.

Presidenti Thaçi tha se si i pari i vendit do të përkrahë fuqishëm punën profesionale të KQZ-së, si një institucion i pavarur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat