​Dëshmitar kryesor ndaj Azem Sylës, Nazim Bllaca(Foto/Video)

Lajme

​Dëshmitar kryesor ndaj Azem Sylës, Nazim Bllaca(Foto/Video)

Më: 29 prill 2016 Në ora: 10:54

(E plotësuar) - Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla do të qëndrojë nën arrest policor deri nesër, kur edhe pritet që gjykata të jap një vendim për masën e sigurisë ndaj tij.

Prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ish deputetin Syla, i cili është arrestuar sot në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.

Syla ishte kërkim nga Policia me urdhër të Prokurorisë Speciale si i dyshuar për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokati i Sylës tha se prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për klientin e tij.

Kërkesën për paraburgim prokurori e ka arsyetuar me faktin se Syla ka rrezik ikje, përsëritje të veprës penale, si dhe ndikim te dëshmitarët, ku si dëshmitar kryesor sipas prokurorisë është Nazim Bllaca.

Por, Gashi deklaron se nuk mund të ketë ndikim tek dëshmitari Bllaca as Azem Syla e as ndokush tjetër pasi që ai gjendet jashtë vendit. Ai ka përmendur madje edhe rastin e vitit 2010 kur Nazim Bllaca kishte përmendur Azem Sylën si i implikuar në vrasje, të cilat vrasje Bllaca i kishte pranuar vetë.

Gjithashtu, mbrojtësi i Azem Sylës, Tomë Gashi, ka thënë se ka kundërshtuar masën e paraburgimit pasi që siç tha ai nuk është përmendur asnjë nga arsye ligjore që ish deputetit Azem Syla t’i caktohet masa e paraburgimit.

“Dëshmitari kryesor sipas prokurorit që është Nazim Bllaca. Do të thotë që duket faktikisht edhe ky rast është iniciuar prej tij, mirëpo ne kemi kundërshtuar - si avokat i Azem Sylës se asnjë prej arsyeve ligjore nuk është përmbushur që t’i caktohet paraburgimi atij. Definitivisht as Azem Syla as unë e as ju nuk mund të ndikojmë në Nazim Bllacën për shumë arsye, por arsyeja kryesore është se ai nuk është këtu. Dihet që pas përfundimit të tij që është dënuar për implikimin e tij për vrasje që faktikisht, që ai i ka pranuar vetë. Ai tashmë gjendet jashtë vendit dhe prokurori deklaron që ai dëshmitar i mbrojtur edhe në këtë rast është e vërtetë se ai vetë e ka përmendur edhe me emër e mbiemër dhe ka deklaruar se kinse ai ka implikuar zotin Azem Syla edhe në rastin e vitit 2010, ngase është e vërtetë që Nazim Bllaca e ka përmendur Azem Sylën si kinse urdhërues i vrasjeve si shef i SHIK-ut siç ka deklaruar ai, mirëpo prokurori në vitin 2012 i ka pushuar hetimet krejtësisht kundër Azem Sylës, gjë që ka qenë një situatë e ngjashme si e tashme”, ka deklaruar avokati Gashi.

Gashi ka theksuar se prokurori pretendon se tokat që janë tjetërsuar janë të viteve të 50-ta dhe 60-ta.

“Nëse Azem Syla ka ardhur prej Shqipërisë në atë kohë dhe është përgjigjur për pretendime në implikime në vrasje, atëherë si është e mundshme të mbahet në paraburgim për implikimet e tanishme që tha prokurori që ka të bëjë sipas tij për shitblerje të kriminalizuara të tokave shoqërore. Prokurori pretendon se tokat e marra gjatë viteve 50-ta dhe 60-ta, nga shumica e tyre serbë janë marrë me interes të përgjithshëm dhe është formuar Kombinati bujqësor industrial Kosova Eksport. Pastaj serbët në kohën e Millosheviqit e kanë refuzuar këtë dhe me aktgjykimet e gjykatave të atëhershme të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë, i kanë transferuar një pjesë të atyre pronave si prona private të cilat sipas prokurorit janë shitur, janë stërishitur dhe shumica e blerësve janë shqiptar”, tha ai.

Veç tjerash, avokati ka treguar se prokuroria ka menduar se Azem Syla ka vendqëndrim në Zvicër, por Gashi thotë se i vetmi vendqëndrim i Sylës është në fshatin e tij në Kishnarekë të Drenasit.

Sipas Gashit, Gjykata nesër do ta sjellë vendimin për shkak të volumit të lëndës, ndërsa Azem Syla do të qëndrojë në ndalim policor, por ai beson që gjyqtarja e procedurës parapake nuk do të caktojë masën e paraburgimit por ndonjë masë tjetër.

Azem Syla së bashku me 50 persona tjerë dyshohen për veprat penale që kanë lidhje me krimin e organizuar, marrje ryshfeti, tjetërsim pronash. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjashtë persona për të cilët dje u është caktuar nga 30 ditë paraburgim. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka.

Policia të mërkurën nuk ka arritur ta gjejë askund ish-deptuetin Syla. Ai tek sot ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria dhe është arrestuar gjatë hyrjes në Kosovë.

Syla është një ndër figurat kyçe të PDK-së. Ai ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit.

Nesër vendimi, Azem Syla në arrest policor

Ish-deputeti i PDK-së Azem Syla do të qëndrojë edhe sonte nën arrest policor deri nesër, kur edhe pritet që gjykata të japë një vendim për masën e sigurisë ndaj tij.

Prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ish deputetin Syla, i cili është arrestuar sot në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë, në Vërmicë.

Syla është në kërkim nga Policia me urdhër të Prokurorisë Speciale si i dyshuar për krim të organizuar, tjetërsim të pronave, shpëlarje parash dhe falsifikim të dokumenteve.

Pas përfundimit të seancës dëgjimore që është mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës, avokati i Sylës tha se prokurori ka kërkuar 30 ditë paraburgim për klientin e tij.

“Në kërkesën për paraburgim prokurori ka arsyetuar me faktin se Syla ka rrezik ikje, ndikim tek dëshmitarët ku e ka përmendur edhe dëshmitarin Nazim Bllaca”,tha Gashi.

Sipas Gashit prokurori pretendon se toka që janë tjetërsuar janë të viteve të 50-ta dhe 60-ta.

Sipas Gashit Gjykata nesër do ta sjellë vendimin për shkak të volumit të lëndës ndërsa Azem Syla do të qëndrojë në ndalim policor.

Azem Syla së bashku me 50 persona tjerë dyshohen për veprat penale që kanë lidhje me krimin e organizuar, marrje ryshfeti, tjetërsim pronash. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjashtë persona për të cilët dje u është caktuar nga 30 ditë paraburgim. Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës Nuhi Uka.

Policia të mërkurën nuk ka arritur ta gjejë askund ish-deptuetin Syla. Ai tek sot ka ardhur në Kosovë nga Shqipëria ku edhe është arrestuar gjatë hyrjes në Kosovë.

Syla njëra prej figurave kyçe të PDK-së ka dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit.

Nis seanca ndaj Azem Sylës

Ka filluar seanca dëgjimore ndaj ish-deputetit Azem Syla. Prokurori i rastit ka kërkuar një muaj paraburgim, megjithatë, i mbetet gjyqtarit të vendos.

Me kërkesën e prokurorit nuk është pajtuar avokati Tomë Gashi, i cili ka thënë para gazetarëve se pret që klienti i tij të mbrohet në liri.

Sipas Policisë, rreth orës 10:25 minuta, personi (A.S.) është paraqit në pikën kufitare Vermicë për të kaluar kufirin nga Shqipëria për në Kosovë, dhe i njëjti në bazë të urdhëresës është shoqëruar nga zyrtarët policor për procedura të mëtutjeshme.

Syla i cili dje dha dorëheqje nga të gjitha postet publike, dyshohet për krim të organizuar dhe shpëlarje parash.

Ai po dyshohet se është pjesë e grupit i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Azem Sylën, pritet vendimi

​Ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla, është duke dhënë deklaratë në Gjykatën e Themelore në Prishtinë, ku jashtë është duke u pritur nga avokati i tij Tomë Gashi.

Ai pritet të del para trupit gjykues në ora 15 në Pallatin e Drejtësisë.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar 30 ditë paraburgim për ish deputetin e Kuvendit të Kosovës, Azem Syla.

Syla është arrestuar para pak minutash nga autoritetet e EULEX-it.

Prokuroria e ka arsyetuar kërkesën me peshën e veprës së kryer nga ish-deputeti I PDK-së dhe me ndikimin qe ka ai.

Syla dyshohet për krim të organizuar, shpëlarje parash e vepra tjera të rënda. Dyshohet se ka drejtuar një grup të madh kriminal.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla së shpejti do të dal para prokurorit.

Ai tani ndodhet në prokurori të EULEX-it, ku pritet të intervistohet.

Syla i cili dje dha dorëheqje nga të gjitha postet publike, dyshohet për krim të organizuar dhe shpëlarje parash. Ai po dyshohet se është pjesë e grupit i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.

​Azem Syla u arrestua sot në Vermicë

Deputeti Azem Syla është arrestuar sot në pikën kufitare në Vermicë, përderisa kthehej nga Shqipëria.

Këtë e ka konfirmuar zyra për informim në Policinë e Kosovës.

“Mund të konfirmojmë se me datë 29.04.2016, rreth orës 10:25 min, personi (A.S.) është paraqit në pikën kufitare Vermicë për të kaluar kufirin nga Shqipëria për në Kosovë, dhe i njëjti në bazë të urdhëresës është shoqëruar nga zyrtarët policor për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Azem Syla para prokurorit të EULEX-it

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Azem Syla është dorëzuar në Policinë e Kosovës dhe së shpejti do të dal para prokurorit.

Ai është dorëzuar në stacioni policor qendra, kurse tani ndodhet në prokurori të EULEX-it, ku pritet të intervistohet.

Syla dje dha dorëheqje nga të gjitha postet publike dyshohet për krim të organizuar dhe shpëlarje parash. Ai po dyshohet është pjesë e grupit kriminal i cili tjetërsoi prona shoqërore në zonat kadastrale përreth Veternikut dhe Çagllavicës.

Më në fund dorëzohet Azem Syla

Deputeti Azem Syla është dorëzuar te Policia e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, avokati i tij, Tomë Gashi. Në bazë të kërkesës së Prokurorisë, Syla i dorëzohet gjykatës për procedurat e mëtutjeshme.

“Zotëri Azem Syla, tashmë është kthyer në Kosovë dhe presim që shumë shpejt t'i drejtohemi bashkërisht organeve të drejtësisë”, ka thënë avokati Gashi.

“Ne ende nuk e dimë se a do t'i lajmërohemi prokurorit apo gjyqtarit, apo si qëndron puna juridikisht. Por, përfundimisht ai është në Kosovë dhe presim që të vazhdojnë procedurat penale sipas rrjedhave normale”, ka thënë Gashi.

Prokuroria ka shpjeguar se hetimi ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ish komandant i lartë i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për të privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publik", thuhej në komunikatën e Prokurorisë.

Azem Syla kthehet në Kosovë, sot i dorëzohet drejtësisë

Burimet kanë bërë të ditur se Azem Syla sot është kthyer në Kosovë, dhe brenda një kohe të shkurtër, një ose dy orësh do të dorëzohet te organet e drejtësisë.

Prokuroria e Shtetit ka thënë se Sylën është duke e kërkuar prej më shumë se 10 ditësh, dhe se në ditën e aksionit të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it për arrestimin e të dyshuarve, ai nuk është gjetur në vendet e kontrolluara.

Syla përmes mediave dhe avokatit të tij, që nga dita kur është kërkuar nga policia ka thënë se nuk do t’i ikë drejtësisë, dhe se ndodhej jashtë shtetit pasi nuk ishte i njoftuar se po kërkohej.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, që dje dha dorëheqje nga ky post për t’i hapur rrugë drejtësisë, po dyshohet si pjesë e një grupi kriminal i cili është marrë me tjetërsim të pronave, edhe pse ai po e mohon këtë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat