Prishtina vallëzon

Lajme

Prishtina vallëzon

Më: 29 prill 2016 Në ora: 07:42

(E plotësuar) - Sheshi i Prishtinës “Zahir Pajaziti” sot do jetë më i gjallë. Balet, valle popullore, vallëzime latine, modern, hip hop, zumba do jenë stilet që do vallëzohen midis sheshi.

Kjo do mundësohet nga Evolution Dance e cila shënon sot Ditën Botërore të Vallëzimit me një program kulturor me moton “Prishtina Vallëzon”.

Aktivitetet do fillojnë prej orës 17:45, ku Evolution Dance ka menduar edhe për një punëtori me qytetarët të cilët do kalojnë në atë kohë në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Këta të fundit pos që do përfshihen në punëtorinë e Evolution Dance, do kenë mundësi të shohin edhe korografi të vallëzimit dhe animacione vallëzimi.

Për nder të kësaj dite, në shumë vende të botës bëhen organizime të ndryshme nga shkollat e vallëzimit, profesionistë dhe amatorë, individ dhe grupe të ndryshme të artit të vallëzimit.

29 prilli - Dita Botërore e Vallëzimit është e shpallur dhe promovuar nga CID që nga viti 1982.

Evolution Dance

Evolution Dance është themeluar më 2 dhjetor 2008 në Prishtinë dhe sh pejtë është zhvilluar si shkollë e vallëzimit. Në prill 2011 u anëtarësua në organizatën më të madhe botërore për të gjitha llojet e vallëzimit në të gjitha shtetet e botës, International Dance Council (CID) – UNESCO. Si rezultat i kësaj, Evolution Dance përfaqësoi Kosovën në Asamblenë Gjenerale të 19-të të CID-UNESCO-së të mbajtur në kuadër të Kongresit me temën “Vallëzimet në Kohën e Perandorisë Otomane”, më 24-27 nëntor 2011 në Stamboll, Turqi. Në këtë Kongres Evolution Dance prezantoi informacione mbi vallëzimin e meshkujve të Rugovës me një ligjëratë.

Për këto tre vite, përveç orëve të rregullta të mësimit të vallëzimeve latine, standarde dhe sociale, ka realizuar një varg projektesh duke ndikuar kështu në edukimin e masës për vallëzim.

Sot Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit

29 Prilli festohet si ditë ndërkombëtare e vallëzimit pasi që në këtë datë në vitin 1727 lindi veprimtari i baletit bashkëkohor, Zhan-Zhorzh Nover.

Që nga viti 1982, çdo vit gjithkund nëpër botë luhen shfaqje në të cilat loja dhe vallëzimi janë gjuhë universale me mision t'i afrojë dhe miqësojë njerëzit.

Vallëzimi është disiplinë, punë, mësim, komunikim. Me të kursejmë fjalë të cilat ndoshta disa njerëz nuk do t'i kuptonin, ndërsa si kthim krijojmë gjuhë universale, të kuptueshme për të gjithë.

Vallëzimi na jep kënaqësi dhe mbështetje, na bën të jemi të lirë për pamundësinë të fluturojmë si zogjtë dhe të afrohemi nga qielli, bota, pafundësia. Ky përshkrim është pjesë e mesazhit ndërkombëtar që përcillet këtë ditë.

Më 29 prill shfaqjet e vallëzimit në mënyrë tradicionale fillojnë me leximin e mesazhit ndërkombëtar

Deri tash nuk ka njoftim për ndonjë aktivitet në Kosovë për shënimin e kësaj dite.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat