Jakup Krasniqi: Mbeta si “peshku në zallë”, por për atdhe ia vlen

Lajme

Jakup Krasniqi: Mbeta si “peshku në zallë”, por për atdhe ia vlen

Më: 28 prill 2016 Në ora: 20:13

Kryetari i Këshillit të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, i cili ka mbetur pa njerëzit kryesorë të partisë në Drenas, ka reaguar indirekt në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka konfirmuar se ka mbetur i vetëm si “peshku në zall” në Drenas, por nuk ka përtuar fare ta paraqes veten si atdhetar i pashembullt.

Krasniqi, duket se kur është puna për t’i bërë reklamë vetes, nuk përton fare të shkruaj referate në superlativ për veten e tij.

Madje, postimit të tij, Krasniqi ia ka bashkëngjitur edhe disa foto nëpër kohë, që sigurisht atij i pëlqejnë më së shumti.

Ky është postimi i plotë i tij:

PËR ANONIMET DHE ANONIMUSAT

Pas burgosjes sime më 5 prill 1981, shumëkush pat menduar: jo vetëm që “mbeta si peshku në zall”, por edhe mora fund njëherë e mirë. Për kombin tim dhe atdheun, kurrë nuk kam hezituar te mbetëm si “peshku në zall” apo të jetoj edhe në guri të thatë. Nga babai im ,ndjesë pastë, shpesh e kam dëgjuar të thoshte: “Njeriu i zoti, jeton edhe në guri të thatë”! Dhe vërtet, për vite jetova jo vetëm në gur të thatë, por jetova edhe si gjarpri nën gur, por mbijetova edhe atë jetë!

Pse e ndoqa atë rrugë?
Sepse për Atdheun ia vlen çdo sakrificë! Natyrisht që kjo është thënë edhe nga mendjet më të ndritura të kombit, por edhe nga mendjet e shquara botërore. Ky edukim më ka bërë që gjithë angazhimin tim mbi 40 vjeçar në politikë, ta bëjë për liri, për çlirim, për shtet të së drejtës, për sundim të rendit e të ligjit. Jam krenar që në ketë angazhim me bashkëkombësit e mi të vendosur, kemi luftuar pa u kursyer për idealin çlirimtar. Jam më se i lumtur që isha njëri nga ata që Kosovës ia sollëm lirinë. Isha njëri nga më të angazhuarit në të gjitha proceset e lirisë e të shtet ndërtimit. Jam më se i lumtur, që isha ai, që pas votimit të Deklaratës së Pavarësisë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe prezantimin e simbolit të shtetit, e bëra publik rezultatin e votimit për Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik!.

Kudo ku isha, në ilegalitet, në burgjet jugosllave, në Lëvizjen paqësore, në Luftën Çlirimtare, në vitet e lirisë e të pavarësisë, ministër a Kryetar Kuvendi, isha mbrojtës i fuqishëm i Kushtetutës, i ligjeve, i Rregullores së Punës së Kuvendit, i mbrojta me dashuri e përkushtim. Këto opinionit tonë publik i janë të njohura. Nëse disa anonimusa, nuk i njohin këto, le të mbetet në nderin e tyre!

Kam ushtruar pozita politike, ushtarake, publike e institucionale, deri dhe President në detyrë, dhe në asnjë rast, nuk e shfrytëzova fuqinë institucionale, politike a ushtarake, për t’i bërë ndonjë padrejtësi ndonjë individi a favore të pa ligjshme veti e familjes sime.. Pata pushtet, por kurrë dhe në asnjë rast nuk e keqpërdora atë! Kjo më bënë më shumë se krenar! Anonimet dhe anonimusat, kurrë nuk e patën ketë mundësi dhe më gjasë nuk do ta kenë kurrë!
Nëse ata nuk donë të jenë me mua, le të shkojnë me tenderomanët, me lakuriqet e natës apo me tregtarët e tokave publike e tugjarët tjerë. Ajo është zgjedhja e tyre.

Anonimusëve edhe njëherë ju them: Mendoj se shkuarja pas bindjeve tona, pas idealeve tona, pas qëllimeve fisnike për shtet, atdhe e komb, nuk është humbje, përkundrazi është fitore. Unë besoj dhe besoj shumë, që NISMA kudo në Kosovë do të forcohet se është në shërbim të interesit të kombit e të shtetit.

NISMA për Kosovën i garanton anëtarët e saj, në Drenicë e në Kosovë, se ashtu si kemi qenë të gatshëm të sakrifikohemi për komb e shtet të se drejtës, ne, në asnjë mënyrë e me asnjë kusht, nuk kërkojmë nga asnjë qytetar i Republikës që për interesin e pushtetit tonë, të sakrifikohet edhe një njeri i vetëm. Ne, jemi gati të marrim pushtet, por vetëm nga vullneti i lirë i qytetarëve të Kosovës!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat