Një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit në rastin “Syla”

Lajme

Një muaj paraburgim për gjashtë të dyshuarit në rastin “Syla”

Më: 28 prill 2016 Në ora: 17:53

(E plotësuar) - Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë-dy gjyqtarë të procedurës paraprake të EULEX-it caktuan masën e paraburgimit prej një muaj, për 6 të pandehurit e arrestuar më 27 prill pas bastisjeve të kryera nga Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it, në Prishtinë.

Të arrestuar janë Nuhi Uka, Samedin Haxhiu, Hajrullah Berisha, Arton Vila, Avni Maxhuni dhe Ilaz Syla.

Këta dyshohen për krim të organizuar,tjetërsim të pronës, falsifikim të dokumenteve dhe marrje të ryshfetit.

Përveç këtyre dyshohen edhe 45 persona tjerë në mesin e të cilëve edhe deputeti Azem Syla.

Për Sylën policia ka lëshuar një urdhër arrest por ai ende është në arrati.

Gjykata miraton kërkesën e Prokurorisë, 30 ditë paraburgim për Nuhi Ukën

Policia e Kosovës dhe EULEX-i gjatë ditës së djeshme kanë zhvilluar një aksion kundër një grupi të madh të krimit të organizuar me ç’rast është arrestuar ish- kryetari i Gjykatës së Prishtinës, Nuhi Uka.

Prokuroria kishte kërkuar dje një muaj paraburgim për Nuhi Ukën, kërkesë të cilën e ka miratuar sot Gjykata Themelore në Prishtinë.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij Tahirr Rrecaj.

“Po Gjykata sot ka miratuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh”, tha Rrecaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat