Pacolli: I tronditur nga dekorimi i Prishtinës me mesazhe propaganduese nga opozita

Lajme

Pacolli: I tronditur nga dekorimi i Prishtinës me mesazhe propaganduese nga opozita

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 22:29

Presidenti i AKR’së Behgjet Pacolli ka kritikuar komunën e Prishtinës për mesazhet propaganduese që ka vendosur në Prishtinë e ku paralajmërohet protesta e opozitës.

Në një shkrim në Facebook, Pacolli shkruan se është i tronditur se si trajtohet dita më e rëndësishme e shtetit të ri të Kosovës.

Ai shkruan:

Duke parë si po dekorohet Prishtina për ditën e Pavarësisë. Jam i tronditur se si trajtohet dita më e rëndësishme e shtetit të ri të Kosovës.

Prishtina po dekorohet ndryshe, krejtësisht ndryshe nga vitet e tjera apo nga çdo vend që feston pavarësinë, duke anashkaluar çdo shenjë të festës.

E respektoj të drejtën e opozitës për t’u shprehur kundër kësaj Qeverie të korruptuar e të pasuksesshme, por e konsideroj të patolerueshme ndërhyrjen në të drejtën time, tē drejtën e të gjithëve për të festuar në mënyrë madhështore ditën e pavarësimit të shtetit tonë. Dekorimi i kryeqytetit është thelbësor për këtë festim!

Shteti jonë nuk i përket partive politike, por popullit të Kosovës!

Ndaj i rekomandoj ideatorëve të kësaj mënyre dekorimi, të mbajnë duart larg nga abuzimi me të drejtën tonë për të festuar në mënyrë madhështore festën më të rëndësishme të popullit dhe shtetit tonë! Çdo qytetar do thoshte si unë: Mos më cënoni të drejtën time legjitime!

Nëse doni të dekoroni në mënyrat tuaja atëherë jashtë qytetit, shkoni e ngrini Infrastrukturë enkas për propagandën tuaj e jo të abuzoni me Infrastrukturën e prindit tim, e gjeneratave që kanë derdhur djersē dhe gjak për shtetin tonë!

Këtë çka them, e them në emër të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Po luani me dinjitetin tonë! E keni tepruar.

Nuk i drejtohem vetëm njerëzve tē komunës por dhe atyre tē qeverisë. Për organizime të festës së pavarësisë, duhet një Komision shtetëror dypalesh që vendos dhe për dekorimin. Pra ku bëjnë pjesë përfaqsues të qeverisë, komunës, etj. Mosefikasiteti i kësaj qeverie shihet edhe në këtë rast. E tolerimi, neglizhenca e një situate si kjo, është arsye tjetër pse kjo qeveri duhet të shkojë në shtëpi!

Një pjesë e qytetarëve dhe partive po e presin Ditën e pavarësisë me protestë. Kemi arritur në situatën që edhe kryeministri i Serbisë komenton sa e madhe do të jetë demonstrata e 17 Shkurtit.

Çka po mendoni ju, o njerëz? Për Pavarësinë e Kosovës është derdhur gjak e askush nuk ka të drejtë ta zbehë këtë festë. Me asnjë formë!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat