Thaçi: Do të zgjidhem president brenda muajit shkurt

Lajme

Thaçi: Do të zgjidhem president brenda muajit shkurt

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 21:44

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, ka komentuar vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit, në Republikën e Shqipërisë.

Në emisionin Monitor në RTK, ai ka thënë se kjo vizitë është dëshmia më e mirë e mbështetjes së SHBA-ve për Shqipërinë, për reformat që po ndodhin atje dhe për kultivimin e marrëdhënieve ndërmjet këtyre dy shteteve.

“Vizita e sekretarit në Shqipëri, është edhe mesazh për rajonin për mbështetje të frymës euroatlantike. Deklarata e tij për Kosovën, është dëshmia më e mirë se ne duhet të rrisim përgjegjësitë tona, të ecim përpara, të shikojmë kah e ardhmja, të realizojmë përgjegjësitë tona karshi qytetarëve por edhe ndaj Bashkimit Evropian”, ka thënë Thaçi.

“Vizita e Kerryt dhe në Prishtinë para pak kohe, janë mesazhet më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë. Këto vizita në Prishtinë e Tiranë, janë mesazhe të mira se ne jemi në rrugë të drejtë, se SHBA-të jo vetëm që janë partner, por edhe mbështetës të fuqishëm të vlerave tona. Ne do të vazhdojmë të punojmë me tërë potencialin tonë, por edhe të distancohemi nga veprimet që nuk përkojnë me vlerat demokratike, që të shkëputemi ndaj çdo logjike të izolimit”, ka deklaruar Thaçi.

Sa i përket votimit të presidentit, ai ka thënë se do të respektohet Kushtetuta dhe ligjet.

“Procesi i zgjedhjes së presidentit do të jetë transparent”, tha ai.

Ai ka theksuar se zgjedhja e tij do të ndodh pas datës së 17 shkurtit.

Thaçi është shprehur i bindur se zgjedhja e tij president do të bëhet në sallën e zakonshme të Kuvendit. I pari i PDK-së, ka thënë se do ta votojnë edhe deputetët e LDK-së.

“E kemi një marrëveshje politike me LDK-në dhe ata natyrisht që do ta respektojnë”, ka thënë Thaçi.

“Tashmë i jemi afruar afatit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Ne do ta respektojmë afatin i cili është deri më 6 mars dhe të gjitha procedurat deri në imtësi, që procesi të jetë transparent para qytetarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është ndonjë preokupim personal, por përgjegjësi institucionale. Se kur do të mbahet kuvendi, do të vendos kryesia por mendoj dhe besoj se do të jetë në muajin shkurt. Nuk vlerësoj se do të jetë para ditës së Pavarësisë sepse jemi të koncentruar në festë dhe të mos e ngarkojmë agjendën e tetë vjetorit të pavarësisë”, ka deklaruar Thaçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat