"Patton Boggs" i kërkon Kosovës 1.8 milionë dollarë për mbrojtje në Arbitrazh (Dokument)

Lajme

"Patton Boggs" i kërkon Kosovës 1.8 milionë dollarë për mbrojtje në Arbitrazh (Dokument)

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 15:10

Kompania e këshilluar nga ish-diplomati Frank Wisner, e cila po e mbron përkohësisht Kosovën kundër padisë së “Axos”, ka kërkuar 1. 8 milionë dollarë nga Qeveria e Kosovës. Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk ka dhënë përgjigje nëse e kanë pranuar apo refuzuar ofertën e kësaj kompanie.

Kompania amerikane e avokatisë, “Patton Boggs”, ka kërkuar 1 milionë e 800 mijë dollarë nga Qeveria e Kosovës për të ofruar mbrojtje juridike në Gjykatën e Arbitrazhit në Washington.

Insajderi ka zbuluar detajet e ofertës së kompanisë amerikane që Qeveria e Kosovës nuk pranon ti bëjë publike.

Kosova është paditur më 4 qershor të vitit të kaluar nga “ACP Axos Capital Gmbh”, kompania gjermane që u shpall fitues në procesin e shtijes së 75 përqind të aksioneve në Vala e Telekom. Vendimi i Qeverisë që shpallte fitues këtë kompani ishte zhvleftësuar nga mos miratimi në parlamentin e Kosovës.

Kompania pretendon se është dëmtuar financiarisht dhe kërkon si dëmshpërblim një shumë që varion nga 100 deri në 500 milionë euro, varësisht prej vlerësimit të gjyqit në Washington.

Edhe nëse hedhet poshtë padia e kompanisë gjermane, Qeveria e Kosovës rrezikon të shpenzojë shuma të mëdha parash për të siguruar mbrojtje juridike ndaj pretendimeve të “Axos“.

Ky rrezik tregohet në raportin e komisionit qeveritarë për përzgjedhjën e kompanisë që ta do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në rastin e Arbitrazhit në Washington.

Komisioni i ka dorëzuar raportin kryeministrit Isa Mustafa dhe katër ministrave: Hashim Thaçit, ministër i jashtëm, Hajredin Kuçit- ministër i drejtësisë, Avdulla Hotit-ministër i financave dhe Blerand Stavilecit, ministër i zhvillimit ekonomik.

Komisioni prej tetë anëtarësh përbehej nga dy përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, dy të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dy të Ministrisë së Drejtësisë dhe dy përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit.

Komisioni kishte kërkuar nga firma amerikane që të përgjysmonte çmimin e ofertës që peshon 1 milionë e 800 mijë dollarë. Kjo nuk ishte pranuar nga avokatët amerikanë. “Patton Boggs”, më 2 dhjetor të vitit të kaluar, i kishte kthyer përgigje komisionit duke i njoftuar se nuk mund ta zvogëloi çmimin.

Patton Bogss: Një orë pune kushton 400 dollarë

Avokatët amerikanë kishin njoftuar komisionin për detajet e ofertës së tyre. Kishin lloogaritur se rasti i Arbitrazhit në Washingon ka gjithsejtë 4 mijë e 500 orë pune. Një orë pune e avokatëve të “Patton Boggs” duhet të paguhet në shumë prej 400 dollarëve.

Patton Boggs ka kërkuar 75 mijë dollarë në muaj nëse ky rast i Arbitrazhit zgjat 24 muaj. Nëse zgjat 36 muaj atëherë Qeveria e Kosovës duhet të paguajë nga 50 mijë dollarë në muaj.

“Përjashtim bën rasti nëse Kompania ka sukses që të kundërshtoj juridiksionin që në fillim të procedurës. Me këtë rast Arbitrazhi e mbyll rastin për shkak të mungesës së juridiksionit. Atëherë, kompania do të kërkoj vetëm gjysmën e çmimit total, pra vetëm 900,000 Dollar (nëntëqind mijë Dollar)“, thuhet në raportin e komisionit qeveritar.

Qeveria nuk komenton ofertën e kompanisë amerikane

MZHE nuk ka pranuar të komentojë për ofertën dhe as për veprimet Qeverisë që do të ndërmerren në të ardhmen.

Nuk ka dhënë përgjigje as në pyetjen se cilat kanë qenë kompanitë tjera që janë kontaktuar nga komisioni qeveritarë dhe se sa kanë peshuar ofertat e tyre.

Zyra për Media e kësaj ministrie ka treguar vetëm për vendimin e Qeverisë për të angazhuar përkohësisht kompaninë “Patton Boggs”.

Qeveria e Kosovës, në maj të 2015-ës, ishte njoftuar nga Arbitrazhi në Washington për padinë e ngritur nga “Axos”.

Autoritetet lëvizin drejt gjetjës së një avokati të përkohshëm derisa të kryhen procedurat e prokurimit.

Qeveria arsyetoi angazhimin e përkohshëm të kompanisë amerikane, pasi që e njëjta ishte e kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme për shërbime të lobimit në SHBA.

Kjo kompania u kontraktua më 2014 për tu angazhuar në nxitjen e investimeve në Kosovë si dhe për të mbledhur fonde nga programet e ndihmës së huaj. Frank Wisner, është këshilltar i çështjeve të jashtme në “Patton Boggs”.

Wisner ka qenë përfaqësues i SHBA-ve në bisedimet për statusin e Kosovës në vitin 2005.

Qeveria e Kosovës pati njoftuar, në maj të vitit të kaluar, se kompania që këshillohet nga Wisner ka pranuar që pa pagesë të kthejë përgjigje ndaj padisë së firmës “Axos”.

Por prej atëherë Qeveria ende nuk ka arritur të kryej procedurat dhe të kontraktojë një kompani ndërkombëtare të avokatisë.

Zvarritja e Qeverisë ka bërë që firmës amerikane t’i vazhdohet angazhimi i përkohshëm.

“Me qene se nuk ka përfunduar proceduar e kontraktimit dhe afatet qe lidhen me procesin kane qene te përcaktuara, qeveria ka marr një vendim qe kompania te përfaqësojë Kosovën ne këtë rast për këto aktivitete referuar periudhës Janar dhe Shkurt 2016 dhe si kundërvlerë e kryerjes se këtyre shërbimeve te kompensohet me 17,600€“, thuhet në përgjigjën e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik.

Por zyrtarët e këtij dikasteri qeveritarë nuk dhanë sqarime se kur do të kryhen procedurat e kontraktimit dhe se a është refuzuar apo pranuar oferta e kompanisë “Patton Boggs”.

Mbetet e paqartë se çfarë lëvizje do të bëjnë autoritete e vendi lidhur me angazhimin e avokatëve ndërkombëtarë.

Mediat kanë siguruar edhe vendimin e ministrit Blerand Stavileci që shfuqizon vendimin për krijimin e komisionit që kishte negociuar me firmën “Patton Boggs”. Nuk tregohet qartësisht arsyeja se pse është shfuqizuar ky komision.

Vendimi është marrë më 22 dhjetor të vitit të kaluar, katër ditë pas dorëzimit të raportit.

“Nga hyrja në fuqi e këtij Vendimi, procedurat e mëtutjeshme lidhur me përzgjedhjen e përfaqësuesit të autorizuar për mbrojtjen e interesave të Republikës së Kosovës pranë Arbitrazhit, do të realizohen nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës“ thuhet në vendimin e nënshkruar nga ministri Stavileci.

Ligji i Prokurimit Publik ishte aplikuar edhe në negociatat që ky komision kishte bërë me firmën amerikane “Patton Boggs“.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, më 9 shtator 2015, kishte lejuar MZHE-në që të aplikonte procedurë të negociuar të tenderimit.

Raporti i komisionit negociues, i shfuqizuar tashmë, jepte dy alternativa për Qeverinë e Kosovës.

Rekomandonte Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që të zgjidhte mes dy rrugëve: Të vazhdonte procesin e finalizimit të draft-kontratës me “Patton Boggs” ose të vazhdonte me procesin e negocimit dhe kontraktimit të kompanive tjera ligjore.

Megjithatë, komisioni kishte njoftuar vendimmarrësit se oferta e amerikanëve është e lartë.

“Gjatë diskutimeve dhe komunikimeve brenda Komisionit vazhdimisht është potencuar se çmimi i ofruar nga kompania është i lartë, në raport me disa oferta të cilat i kishte pranuar Zyra e Kryeministrit më herët para formimit të këtij Komisionit“, thuhet në raportin e komisionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat