“Alkatrazi britanik”, burg i veçantë për xhihadistët

Lajme

“Alkatrazi britanik”, burg i veçantë për xhihadistët

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 07:27

Sipas gazetës “The Guardian” të Londrës, qeveria konservatore britanike po shqyrton seriozisht mundësinë e krijimit të një burgu të veçantë për grumbullimin e gjithë xhihadistëve britanikë të dënuar nga gjykatat për akte terroriste.

I cilësuar si “alkatrazi britanik”, ky projekt ka alarmuar shefat e burgjeve, të cilët janë të shqetësuar se një grumbullim i tillë i terroristëve islamikë, jo vetëm do krijonte një pikë fokusimi për protestat e publikut dhe do përngjante si një Guantanamo e dytë, por do t’u krijonte xhihadistëve mundësinë e vetorganizimit në “komanda operacionale dhe struktura kontrolli”, çka nuk kanë mundur ta bëjnë në gjendje të lirë.

Ekzistenca e burgut “Maze” në Irlandën e Veriut, në vitet 80, ku të burgosurit republikanë dhe lojalist u vetorganizuar në formacione ushtarake dhe drejtonin blloqet respektive në atë burg, po citohet si argumenti kryesor kundër këtij plani.

Gjatë 50 viteve të fundit, Britania i ka shpërndarë të burgosurit e rrezikshëm nëpër burgje të ndryshme, por qeveria kërkon të shmangë radikalizmin e të dënuarve të tjerë nga afro 130 xhihadistët që ndodhen aktualisht në burgjet britanike.

Kryeministri Cameron përpara disa ditësh deklaroi se: “Ne nuk mund të rrimë duarkryq e të shikojmë sesi radikalizohen njerëzit dhe kjo kur ata ndodhen nën kujdesin e shtetit. Unë dua të jem i qartë, jam i përgatitur për të marr në shqyrtim ndryshime të mëdha, që nga imamët që i lejojmë të predikojnë nëpër burgje deri në ndryshimin e vendndodhjes dhe metodat e trajtimit të të dënuarve për vepra terroriste”.

Një praktikë të tillë për grumbullimin e xhihadistëve e ka aplikuar Franca që përpara një viti, duke ndarë ekstremistët e ardhur nga Siria dhe Iraku, duke zbatuar programin në disa burgje të Parisit, pas sulmeve në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat