Zbulohet gjithçka për Thaçin: Dita e zgjedhjes, skenari i votimit

Lajme

Zbulohet gjithçka për Thaçin: Dita e zgjedhjes, skenari i votimit

Më: 14 shkurt 2016 Në ora: 00:41

Javën e fundit të muajit shkurt, pritet të thirret seancë e jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: zgjedhja e presidentit të Kosovës. Kandidati që pritet të marrë votat e nevojshme të tri partive të koalicionit – PDK, LDK dhe Lista serbe – është Hashim Thaçi.

Burime nga procesi i kanë thënë Insajderit, se me rekomandimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë, dhe vendeve tjera, zgjedhja e Thaçi do të ndodh pas 17 shkurtit.

Kjo ditë, që është përvjetori i shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është zgjedhur nga opozita për protestë prej orës 14:00. Protesta është duke u parë dhe pritur me shqetësim. Analizat e organeve të sigurisë flasin për shpërthim të dhunës.

“Zgjedhja e Thaçit varet edhe nga protestat. Nëse ka dhunë të përmasave të paparashikueshme, situata mund të ndryshojë”, ka thënë një burim brenda koalicionit qeverisës.

Por, Thaçi nuk do t’i ketë votat e të gjithë deputetëve të koalicionit. Vjosa Osmani, Alma Lama dhe Adem Salihaj nuk do të marrin pjesë fare në seancë. Ata po synojnë t’ia rrezikojnë kuorumin e nevojshëm prej 80 votash. Ndërsa, Arben Gashi që ka thënë se nuk do ta votojë Thaçin për president, pritet të jetë i pranishëm në seancë.

Partnerët e koalicionit presin që 5-6 deputetë të PDK-së të votojnë kundër liderit të tyre për president.

“Kjo edhe mund të ndryshojë, sepse zgjedhja bëhet me vota të fshehta”, ka thënë ky burim.

PDK-ja tashmë ka kryer përgatitjet. Nënshkrimet i ka mbledhur për të thirrur seancë të jashtëzakonshme e cila do të mbahet në sallën alternative të Kuvendit. Opozita ka paralajmëruar bllokim të seancës si ka vepruar deri tash. Gazi lotsjellës është njëri prej opsioneve kryesore për pengimin e mbajtjes së seancës.

“Thaçi për president nuk ka kundërshtim nga ndërkombëtarët”, ka thënë burimi. “Ndërkombëtarët po e mbështesin edhe për një fakt: janë kundër zgjedhjeve të parakohshme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat