Ndikimi rus në Ballkan (Video)

Lajme

Ndikimi rus në Ballkan (Video)

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 22:08

Vëzhguesit thonë se propaganda, organizatat dhe shoqatat kulturore ruse kanë shtuar praninë në Serbi, Mal të Zi, Shqipëri dhe Maqedoni. Pjesa më e madhe e vendeve kanë aspirata integrimi perëndimor, por ndikimi rus në rajon po shtohet përmes investimeve të Rusisë në miniera, hotele, fabrika dhe në media. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jane Bojaxhievski ka përgatitur kronikën:

Një këngë e re, mjaft e suksesshme i kërkon Presidentit rus Vladimir Putin të vijë në Maqedoni dhe ta shpëtojë vendin nga BE, NATO dhe Shtetet e Bashkuara. Kënga mori shumë popullaritet gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare dhe luhet shpesh në radio dhe median sociale.

Rusia dhe Perëndimi kanë synime krejt të ndryshme lidhur me Ballkanin, thotë Janusz Bugajski i Qendrës për Politika dhe Analiza Evropiane në Uashington:

“Udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s do të donin të shihnin antarësimin e secilit vend në këto organizata, sapo të përmbushin standardet, Rusia ka synimin e kundërt, do t’i mbajë këto vende jashtë NATO-s dhe BE,” thotë zoti Bugajski.

Analisti thotë se edhe nëse Rusia nuk mund t’i integrojë këto vende ballkanike në organizata të kontrolluara nga Moska, si Bashkimi Ekonomik Euroaziatik, ajo do që ato të qëndrojnë neutrale dhe të mos lejojë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së.

Ish-zyrtari i Departamentit të Shtetit Paul Goble është i të njëjtit mendim. Ai thotë përmes Skype-it se Moska po bën ç’të mundet për të ndryshuar opinionin në Ballkan:

“Por mendoj se përpjekjet e Moskës për të ndryshuar kahjen themelore të popujve të Ballkanit deri tani kanë dështuar. Nuk jam aq i shqetësuar sa janë disa të tjerë”.

Zoti Goble thotë se kriza e refugjatëve po vonon përpjekjet e Ballkanit për integrim dhe shton se Evropa ka kaq shumë probleme të vetat për momentin, sa që nuk e ka të lehtë të integrojë anëtarë të rinj:

“Janë hedhur ide se një ndër arsyet për formën dhe përmasat e krizës së refugjatëve në Evropë është se Moska ka bërë sa ka mundur për ta nxitur dyndjen e kësaj vale njerëzish me qëllimin për të dobësuar Evropën që të jetë në pozitë më të fotë për të ndikuar në Ballkan dhe në Evropën Lindore”.

Anketat e opinionit publik tregojnë se ndikimi rus po forcohet në Ballkan. Në Serbi një anketë tregon se 72% e popullatës ka pikëpamje pozitive për Rusinë dhe institucionet e saj./rel

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat