Ndërron jetë Ilaz Kurteshi, një nga hartuesit e Kushtetutës së vitit 1974

Lajme

Ndërron jetë Ilaz Kurteshi, një nga hartuesit e Kushtetutës së vitit 1974

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 18:31

Pas një sëmundjeje të rëndë dhe të gjatë sot (e shtunë, 13 shkurt 2016) në Prishtinë ka ndërruar jetë Ilaz Kurteshi, ka njoftuar familja e tij.
Ilaz Kurteshi ka lindur në vitin 1927. Ka qenë një nga personalitetet më të njohura në kohën kur Kosova ishte autonomi në përbërje të ish-federatës Jugosllave.

Ishte një nga hartuesit e Kushtetutës së vitit 1974, me të cilën Kosova për të parën herë në historinë e saj është njohur si territor dhe entitet i veçantë politik me elemente të theksuara të sovranitetit. Sidomos mbahet në mend kontributi i tij vendimtar në themelimin e Radio-Televizionit të Prishtinës, Bibliotekës Universitare, Akademisë së Shkencave të Kosovës dhe Institutit Albanologjik.

Ka qenë bartës i shumë posteve më të larta në Kosovë dhe në federatën Jugosllave. Ishte kryetari i parë dhe i vetëm i Kuvendit të Jugosllavisë nga radhët e shqiptarëve.

Me vendimin e presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, ka qenë anëtar i delegacionit të Kosovës, e cila në prag të bombardimeve të NATO-së ka nënshkruar në Paris Marrëveshjen e Rrambujes.

Varrimi i të ndjerit do të mbahet të dielën, në 14 shkurt 2016, në fshatin e tij të lindjes Lubinje e Poshtme (Prizren), në ora 14.30.

Posti i fundit të cilin i ndjeri Kurteshi e ka mbajtur ishte ai në krye të Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës. Sipas dëshirës së tij të fundit, familja kërkon nga të gjithë ata që atij dëshirojnë t’i tregojnë respekt me vënien e kurorave apo luleve, që këto mjete t’i bartin në xhiro-llogarinë e Lidhjes së Pensionistëve të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat