Haliti: Thaçi brenda pak ditëve President, koalicioni me LDK-në vazhdon

Lajme

Haliti: Thaçi brenda pak ditëve President, koalicioni me LDK-në vazhdon

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 14:41

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherë anëtari i kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka deklaruar se mbajtja e seancës së jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit mund të mbahet këtyre ditëve, nëse një kërkesë të tillë e bëjnë deputetët e Kuvendit.

Megjithatë, Haliti ka thënë se nuk është e domosdoshme që kjo seancë të mbahet të dielën apo të hënën.

“Në qoftë se është një kërkesë nga 40 deputetë të nënshkruar atëherë mund të mbahet mbledhja, seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit. Mirëpo, kushti për kandidaturë është të jenë 30 nënshkrime por unë nuk e besoj se është e domosdoshme që të dielën të mbahet seancë sepse nuk është ndonjë çështje e ngutshme dhe e jashtëzakonshme të cilën Kosova e ka që ta kryej me urgjencë”, ka thënë ai.

Anëtari i kryesisë së PDK-së ka treguar, se rregullat kushtetuese thonë se së paku një muaj para se të përfundojë mandati i presidentes duhet të zgjedhet presidenti.

Ndërsa lidhur me atë se a janë mbledhur nënshkrimet për kandidaturën e Hashim Thaçit në krye të Presidencës, Haliti ka thënë se ato bëhen për pak minuta.

“Deri më tani nuk kam ndonjë ftesë për mbledhje të Kryesisë, e cila do të caktonte kohën kur mbahet seancë e tillë. Përderisa nuk kam një ftesë për mbledhje d.m.th. nuk e besoj se është e mundshme që të dielën dhe të hënën të ketë seancë, pasi që pa kaluar nëpër procedura të Kuvendit nuk ka mundësi që të ketë seancë. Nuk është problem të mblidhen nënshkrimet. Ato mblidhen për 10 minuta dhe është problem i vogël për neve”, është shprehur ai.

Më tej, Haliti i ka hedhur poshtë zërat se pas zgjedhjes së Thaçit si president i Republikë, PDK-ja do ta prish koalicionin me LDK-në e Isa Mustafës.

“Nuk e besoj se ka diçka të planifikuar, në qoftë se dikush e ka menduar këtë, janë spekulime. Koalicioni deri më tani ka funksionuar mesatarisht mirë, kur e kemi parasysh se kur ka filluar dhe si ka filluar. Tani koalicioni për tu prish duhet të jetë një arsye e madhe. Spekulimet e thashethemet që po qarkullojnë nuk iu besoj, sepse nuk jemi në ndonjë situatë e cila do të bëjë që të prishet koalicioni”, ka thënë ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat