I akuzuari për fajde përmend emrin e familjarit të Kadri Veselit (Video)

Lajme

I akuzuari për fajde përmend emrin e familjarit të Kadri Veselit (Video)

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 13:08

I ftuar për të dëshmuar në procesin kundër prokurores Vahide Badivuku, Artan Hasani nuk e ka lënë pa e përmendur emrin e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Dëshmitari i prokurorisë i cili njëherësh është i akuzuar për fajde në një proces tjetër gjyqësor ka nënvizuar se kishte bërë ndërrimin e një veture me familjarë të kryeparlamentarit.

“Njëra nga veturat e sekuestruara nga ana e Prokurorisë Themelore te Mitrovicës është vetura të cilën e kam ndërruar me djalin e vëllait te Kadri Veselit,” dëshmoi Hasani.

Nga dosja hetimore KALLXO.com zbuloi se Hasani kishte ndërruar makinën me Qëndrim Veselin.

Ky i fundit në një komunikim me hulumtuesit e KALLXO ka pranuar se ka shkëmbyer një makinë me të akuzuarit për fajde duke shtuar se nuk kishte qenë në dijeni për veprimtarinë për të cilën hetoheshin familja Hasani.

“Po unë e kam bërë një ndërrim te veturave me njërin nga vëllezërit Hasani, ju kam japë një veturë te tipit Mercedes dhe 3.000 apo 3.500 euro dhe kam marrë nga ta një veturë te tipit ‘Audi’,” ka thënë Veseli.

Ai ka mohuar çdo lidhje të mundshme tjetër me familjen Hasani.

“Unë në kohën kur kam bërë këtë ndërrim të veturave nuk e kam ditur se me çka merren ata, se përndryshe nuk e kisha bërë këtë ndërrim,” ka thënë Veseli.

Zyra e kryeparlamentarit Veseli e kontaktuar nuk është përgjigjur në kërkesën për t’i komentuar deklarimet e Hasanit në seancën gjyqësore të 10 shkurtit.

Në gusht të 2015-ës Policia e Kosovës arrestoi prokuroren e Mitrovicës Vahide Badivuku.

Ajo akuzohet se mori para mito për të liruar nga paraburgimi anëtarët e familjes Hasani te cilët akuzohen për ushtrim ndikimi dhe fajde.

Kësaj familje sipas aktakuzë së prokurorisë i ishin kërkuar para edhe për lirimin e 9 veturat të konfiskuara gjatë aksionit antifajde të policisë së Mitrovicës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat