Të mbijetuarit e “Bataclanit” përgatiten për vazhdimin e koncertit

Lajme

Të mbijetuarit e “Bataclanit” përgatiten për vazhdimin e koncertit

Më: 13 shkurt 2016 Në ora: 07:44

Grupi kalifornian i muzikës rock “The Eagles of Death Metal”, i cili po performonte në sallën e koncerteve “Bataclan” kur 90 vetë u vranë nga terroristët e ISIS-it, në sulmin më të rëndë të 13 nëntorit, do të rikthehen në kryeqytetin francez për të vijuar koncertin e lënë përgjysmë.

Sipas medieve ndërkombëtare, ky koncert është cilësuar si më i prituri i vitit në Paris me biletat që u shitën brenda pak minutave. Por, prania e ushtarëve e policëve të armatosur që do të ruajnë ambientin dhe e psikologëve që do të mbështesin adhuruesit e traumatizuar nënkupton se nuk do të jetë një koncert si gjithë të tjerët.

Bëhet e ditur se koncerti do të zhvillohet të martën në sallën “Olimpia” por ndërsa ngjarja e shumë pritur po afrohet, të mbijetuarit e masakrës së “Bataclanit”, të cilëve iu janë dhënë bileta falas, duhet të përballen me tronditjen emocionale që do të shkaktojë tek ta ndjekja e koncertit.

Shumë persona nuk kanë qenë më në gjendje të dëgjojnë këngët e grupit apo të shkojnë në koncerte që prej masakrës së 13 nëntorit e që mendojnë se është ende herët për një iniciativë të tillë.

Tre muaj pas sulmeve të Parisit që lanë të vdekur 130 persona dhe plagosën 350 të tjerë, 40 vetë janë ende në spital duke iu nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat