MTI: Ndryshimet e ligjit të naftës, ndalojnë keqpërdorimet me derivate

Lajme

MTI: Ndryshimet e ligjit të naftës, ndalojnë keqpërdorimet me derivate

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 15:29

Shoqata e naftëtarëve kishte ngritur dyshimet se ministrja Bajrami po punon me një grup të vogël të bizneseve që merren me shitjen dhe importin e derivateve të naftës, dhe se ka ndryshuar nenin 5 pikën 6 të Ligjit të Naftës kur ka dërguar në Kuvend propozimet për këtë ligj.

Kryetari i kësaj shoqate Fadil Berjani ditë më parë në një prononcim për Indeksonline kishte deklaruar se ky ligj favorizon disa kompani duke krijuar kështu monopol.

Por një gjë të tillë e mohon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Në përgjigjen e kësaj ministrie thuhet se MTI-ja nuk është duke krijuar monopol përmes këtij projektligji.

“Sa i përket pohimit të pasaktë se me këtë projektligj po krijohet monopol në importin e karburanteve, MTI sqaron se ky argument është i paqëndrueshëm, pasi që në këtë projektligj nuk kufizohet numri i importuesve – pra të gjithë operatorët që i plotësojnë kushtet ligjore do të marrin licencë të importit”, ka thënë për Indeksonline, Vjollca Dibra këshilltare për media dhe komunikim në MTI.

Në përgjigjen e saj më pas thuhet se aktualisht janë 13 operatorë të licencuar për import me shumicë të cilët posedojnë deponi, gjë e cila konfirmon se nuk bëhet fjalë për kurrfarë monopoli.

“Sa për ilustrim në tregun e telefonisë mobile ekzistojnë vetëm dy operatorë dhe nuk mund të themi që ka monopol, e si mund të flitet për monopol në situatën kur në treg operojnë 13 operatorë dhe tregu është I hapur edhe për të gjithë ata që I plotësojnë kushtet ligjore”, ka deklaruar Dibra, duke shtuar më pas se disponueshmëria e deponive me kapacitetin minimal të nevojshëm, të përcaktuar sipas llojit të karburantit, përveç tjerash, garanton edhe mbrojtjen e mjedisit dhe pronës nga fatkeqësitë të cilat mund të vijnë si rezultat i qëndrimit të produkteve të naftës në vende joadekuate, madje edhe nëpër mauna (autobote) për kohë të caktuar.

“Siç dihet, natyra e karburanteve të naftës është e tillë që importi me sasi të vogla dhe pa mundësi të shkarkimit në deponi krijon kushte për dëmtim të cilësisë, por edhe vështirëson mbikëqyrjen efikase të tregut të karburanteve”, është shprehu ajo.

Ndërkaq sa i përket ndryshimit të nenit 5 pika 6 të Ligjit të Naftës, MTI-ja ka sqaruar se qëllimi kryesor i Projektligjit për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme është krijimi i një tregu konkurrent, sigurimi i cilësisë së produkteve të naftës, rritja e sigurisë, krijim i lehtësirave për operatorët ekonomik, dhe transpozimi i direktivave europiane.

“Projektligji përmban dispozita të reja të cilat përmirësojnë ato të mëparshmet që kanë pasur mangësi sa i përket rregullimit, monitorimit dhe mbikëqyrjes së cilësisë dhe sasisë së karburanteve të lëngëta të naftës, ku me këto ndryshime kontrolli dhe monitorimi i tregut të karburanteve do të jetë shumë më efikas dhe do të garantojë cilësi për konsumatorët kosovarë”, ka thënë më tej Dibra, duke bërë të ditur se me këto ndryshime do të ketë zvogëlim të dukshëm të hapësirës për keqpërdorime, gjë e cila po i pengon disa individë të cilët janë të interesuar që të krijojnë huti në opinion me deklarime pa fakte.

Ajo ka shtuar se në këtë Projektligj janë përfshirë praktika të mira të dëshmuara në shtetet tjera dhe se ndryshimet, në këtë projektligj, përfshirë Nenin 5, paragrafi 6, i cili është kundërshtuar nga disa individë dhe grupe të interesit, do të kontribuojnë edhe në luftimin e informalitetit brenda këtij sektori, pasi që përmes deponive do të pamundësohet importi i naftës në mënyrë të parregullt.

“Mbikëqyrja e cilësisë së karburanteve do të jetë më efektive dhe do të eliminojë barrierat në qarkullimin e mallrave, për shkak se mënjanon ngarkesat tek operatorët ekonomik të cilët janë të obliguar që të bëjnë riverifikimin e konformitetit të dokumenteve për importin e naftës në pikat doganore me rastin e importit, praktika këto të cilat janë kundërshtim me legjislacionin e BE-së”, u shpreh Dibra.

Përpos Shoqatës së Naftëtarëve këtë ligj po e kundërshtojnë edhe në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.
Anëtari i këtij komisioni Blerim Grainca kishte thënë më parë për media se ky ligj nuk do të gjejë përkrahje për tu miratuar.

E sa i përket kësaj në MTI thonë se nuk merren me deklaratat e individëve që mbase mund të kenë konflikt interesi kur japim deklarata në lidhje me këtë çështje.

“ Projektligji për Tregtinë me Produkte të Naftës dhe Karburante të Ripërtërishme i është nënshtruar të gjitha procedurave të rregullta ligjore për draftimin e ligjeve dhe pas miratimit nga Qeveria e Kosovës është dërguar në Kuvend për procedim të mëtejmë”, ka thënë Dibra.

Në Kosovë, janë mbi 52 importues të derivateve të lëngtë të naftës. Prej tyre, vetëm 13 kompani kanë deponi. Me hyrjen në fuqi të ligjit nëse votohet ashtu siç e ka propozuar MTI-ja , atëherë të drejtë për të importuar kanë vetëm 13 kompani, ndërsa kompanitë të tjera nuk do të kenë ligjërisht mundësi importi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat