Haxhiu: Kuvendi s’ka legjitimitet për zgjedhjen e Presidentit

Lajme

Haxhiu: Kuvendi s’ka legjitimitet për zgjedhjen e Presidentit

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 15:19

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se opozita e bashkuar ka qëndrim të qartë sa i përket seancave plenare.

Sipas saj, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka legjitimitet për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës.

“Situata në Kosovë është e jashtëzakonshme dhe natyrisht që rrethanat nuk kanë ndryshuar, rrjedhimisht nuk ka ndryshuar as qëndrimi i opozitës së bashkuar. Ne konsiderojmë që Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka legjitimitet për zgjedhjen e presidentit, e aq më pak që të zgjidhet Hashim Thaçi, President. Është thjesht e pakuptimtë që një njeri i cili i ka sjell kaq shumë dëme Kosovës të jetë president i Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu u shpreh se Thaçi do duhej të jepte përgjegjësi, qoftë politike apo penale me gjithë dëmin që i ka krijuar Kosovës.

“Duhet të jap përgjegjësi qoftë për negociatat me Serbinë, qoftë gjatë kohës sa vazhdon të jetë ministër i Punëve të Jashtme për mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, për mos liberalizimin e vizave për Kosovën, rezolutën e Serbisë e cila kaloi në Këshillin e Evropës që fuqizon UNMIK-un në Kosovë e po ashtu është pikërisht Thaçi i cili ka nënshkruar marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha ajo.

Haxhiu po ashtu tha se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet. “...Natyrisht që do të kundërshtojmë njësoj secilën seancë plenare, siç kemi bërë deri më tani. Do t’i përdorim të gjitha mjetet që i kemi përdorur deri më tani për të pamundësuar Hashim Thaçin President të Republikës së Kosovës”.

Në pyetjen e bërë se a ka ndonjë kandidat të mundshëm për president nga opozita e bashkuar, Haxhiu tha: “Gjatë këtyre ditëve kanë dal shumë propozime që kinse janë të opozitës, mirëpo ne kemi thënë që opozita e bashkuar nuk ka kandidat për president. Jemi koncentruar që në kundërshtimin e marrëveshjeve të dëmshme, pasi që kemi hyrë në muajin e gjashtë prej kur ne kundërshtojmë marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe me Malin e Zi për falje të territorit. Ne nuk kemi kurrfarë propozimi për kandidat për president. Ajo çfarë dihet hapur është që do të kundërshtojmë kandidatin i cili tashmë flitet që është kandidat i mazhorancës dhe natyrisht që do ta kundërshtojmë zgjedhjen e tij si president. Kuvendi duhet të shkoj në zgjedhje dhe natyrisht derisa të legjitimohet një kuvend i ri atëherë ai kuvend i ri do të ketë mundësi të zgjedh presidentin e Republikës së Kosovës”.

Në prononcimin e saj për mediat vendore, deputetja e Kuvendit ka thënë po ashtu se pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese situata tashmë është ndryshuar.

“Situata ka ndryshuar për shkak se tash kërkojmë edhe dorëheqjen e qeverisë për shkak se nuk mund të durojmë që në krye të qeverisë një njeri i cili ka shkel 23 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, shtoi ajo.

E, sa i përket protestës së 17 shkurtit ajo tha se kjo nuk është më protestë e opozitës, por është protesta e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Protesta e nëntë janarit ka qenë protesta më e madhe prej pasluftës, madje edhe para luftës. Natyrisht që protesta e 17 shkurtit e thirrur nga opozita e bashkuar nuk është më thjeshtë protestë e opozitës, por është protestë gjithë popullore. Pra qytetarët e Republikës së Kosovës po e dëshmojnë veten qoftë me prezencën e tyre nëpër tubimet që po organizojmë gjithandej sepse për çdo ditë opozita e bashkuar është nëpër tubime për dorëheqjen e qeverisë. Qytetarët do të japin mesazhin e duhur që koha politike e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit ka përfunduar dhe këta njerëz nuk mund të qëndrojnë në krye të institucionit”, tha Albulena Haxhiu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat