Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, në përfundim të vizitës së tij në Washington ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Departamentit për Drejtësi dhe Marrëdhënie Ndërkombëtarë të “George Washington University”, ku u fokusua në përpjekjet që Kosova po bën për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.
Duke trajtuar temën e migracionit në përgjithësi, e në veçanti atij nga Siria dhe Iraku, ministri Hyseni është përqendruar kryesisht në implikimet që ka kjo krizë për sigurinë në Evropën Juglindore, sidomos në Kosovë.
Hyseni me këtë rast i është përgjigjur interesimit të madh të pranishmëve rreth perspektivës së zgjidhjes së krizës së refugjatëve nga Siria. Në veçanti, kishte interesim të fokusuar në përpjekjet që Kosova po bën për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe terrorizmin.
Sipas një komunikate të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në audiencë kishte personalitete të shquara që janë marrë me Kosovën në të kaluarën e afërt dhe kjo prani e bëri debatin edhe më dinamik dhe interaktiv.
“Kjo ligjëratë shënon edhe fundin e vizitës zyrtare të punës që ministri Hyseni pati në Ëashington D.C., duke nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi dhe duke bashkërenduar veprimet në rrafshe të ndryshme të bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë fushë. Krejt kjo pritet të rezultojë në projekte konkrete dhe marrëveshje tjera të bashkëpunimit në të ardhmen në kuadër të partneritet strategjik Kosovë-SHBA”, thuhet në komunikatën e MPB-së.