Djali i Policit, i arrestuar afër Manastirit të Deçanit

Lajme

Djali i Policit, i arrestuar afër Manastirit të Deçanit

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 09:33

K.R. njëri prej të arrestuarve afër manastir të Deçanit është i biri i një pjesëtari të Policisë së Kosovës. Babai polic në një prononcim ka mohuar çdo lidhje të mundshme të të birit me rrjetet terroriste.

Dy javë më parë gjatë një kontrolli të makinës me të cilin udhëtonin shtetasit me inicialet A.Y,A.K.K.R. dhe K.A., policia zbuloi një automatik dhe një pistoletë.

Edhe përkundër deklarimeve të Patrikanës së Deçanit se grupi ishte një grup islamik, hetimet e prokurorisë nuk argumentuan ndonjë qëllim terrorist. Megjithatë prokuroria pretendon se dy nga të arrestuarit kishin lidhje me organizatën terroriste ISIS.

Në dosjen hetimore të prokurorisë ngjallen dyshime se A.Y ka qenë pjesë e luftës në Siri ndërsa i dyshuari tjetër A.K ishte ndaluar në Stamboll në tentativën e tij për ë marrë pjesë në luftën në Siri.

Dy javë pas kësaj ngjarje Kallxo ka mësuar se i arrestuari me inicialet K.R është djali i Q. R. pjesëtar i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjakovës.

Lajmin përmes adresës elektronike e ka konfirmuar drejtori rajonal policor, Ahmet Hasi.

“Sipas kërkesës tuaj, ju konfirmoj se Q. R. është zyrtar policor në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë”, tha Hasi.

Ndërkaq i kontaktuar përmes telefonit Q. R. ka pranuar që njëri nga katër të arrestuarit në afërsi të Manastirit të Deçanit është i biri i tij K.R por mohon që ai të ketë qenë i përfshirë në luftën në Siri.

“Djali im ka qenë njëherë deri në Francë, si krejt që patën dalë me kërku azil por e ka pa që s’ka të ardhme atje dhe është kthyer vullnetarisht…atij i pëlqen të falet, sepse falna edhe unë, por nuk ka të bëjë asgjë me rrjetet terroriste”, ka thënë polici Q.R.

Ai tutje ka shtuar se nuk i njeh personat me të cilët djali i tij ishte arrestuar afër Manastirit të Deçanit

“Nanes së vet i ka thanë se po shkon për shëtitje me shokë. Ne nuk po i njohim kush janë ata shokët e tij që është arrestuar me ta, as me çka merren ata”, rrëfen Q.R.

Katër të arrestuarit në afërsi të manastirit të Deçanit po mbahen në paraburgim me vendim të gjykatës së Pejës nën dyshimet për armëmbajtje pa leje. Në mbrojtjen e tyre, katër të dyshuarit e kanë pranuar se natën e arrestimit kanë pasur armë por kanë sqaruar se qëllimi i tyre ka qenë që të bëjnë kamping në Bjeshkën e Deçanit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat