Sot gara për anëtarë të KD të UP-së

Lajme

Sot gara për anëtarë të KD të UP-së

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 07:42

Janë 14 mësimdhënës të Universitetit të Prishtinës, që kanë kandiduar për anëtarë të Këshillit Drejtues, ku pesë prej tyre do të zgjedhen sot nga Senati.

Pritet që Ministria e Arsimit të dërgojë listën prej katër anëtarëve për të plotësuar numrin, në mënyrë që të hënën të konstituohet Këshilli dhe të shpallë konkursin për rektor. Ndërkohë, Senati i ri, ka formuar sot komisionin prej tre anëtarësh, të cilët kanë për detyrë të verifikojnë mandatet e kandidatëve që kanë konkurruar për Këshillin Drejtues.

Senati i Universitetit të Prishtinës, do të votojë nesër për të zgjedhur pesë anëtarë të Këshillit Drejtues, ndërkohë, sot është caktuar një komision prej tre vetash, të cilët janë: Naser Kabashi, Avni Puka dhe përfaqësuesi i studentëve, Musa Berisha, të cilët kanë për detyrë të verifikojnë mandatet e kandidatëve që kanë konkurruar për Këshillin Drejtues. Kryetari i Komisionit Zgjedhor, Marjan Dema, bëri të ditur për Radio Kosovën, se për pesë anëtarë të Këshillit, kanë konkurruar 14 kandidatë.

“Sipas radhës së paraqitjes së kandidaturave të tyre janë: Alberta Troni, Azem Lajci, Beqir Sadikaj, Besa Luzha, Fefzi Berisha, Ismet Hashani, Kemail Bislimi, Lindita Tahiri, Mentor Sopjani, Muhamet Mala, Naim Braha, Osman Gashi, Ramë Miftari dhe Zeqir Veselaj”, tha Dema.

Dema, tha se do të kërkojnë nga Ministria e Arsimit, që të dërgojnë listën prej katër anëtarëve në Këshillit Drejtues, pasi të hënën ky Këshill duhet të mblidhet për të zgjedhur organet e veta dhe për të shpallur konkursin për rektor të ri të Universitetit të Prishtinës.

“Ditën e hënë, sipas agjendës duhet të konstituohet KD, që do të thotë se të hënën është dita e fundit që duhet të dërgojë katër emrat e anëtarëve të KD-së, të emëruar nga ana e Ministrit të Arsimit.”

Ndërkohë, Ministria e Arsimit, ende nuk ka bërë të ditur emrat e anëtarëve që do të emërohen nga Ministri për Këshillin Drejtues. Zenun Halili, këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, tha për Radio Kosovën, se Ministri i ka bërë të gjitha përgatitjet dhe me kohë do të dorëzojë listën e anëtarëve për Këshill Drejtues.

“Do të jenë persona kompetentë, me kredibilitet ndërkombëtar, njerëz shumë të respektuar, të cilët do të punojnë bashkërisht me pjesën tjetër të KD-së, që Universitetit të Prishtinës t’i sjellin stabilitetin e duhur. Nuk jam në dijeni të anëtarëve që do të jenë, por unë e di që Ministri është i gatshëm që në momentin e duhur t’i ketë emrat e nevojshëm dhe nuk do të ketë vonesa”, tha Halili.

Ndryshe të drejtë kandidimi për pesë anëtarë të Këshillit Drejtues kanë pasur i gjithë stafi akademik në marrëdhënie të rregullt pune në Universitetin e Prishtinës. Ndërkohë, sipas dinamikës së zgjedhjeve në Universitet, të hënën do të shpallet konkursi për rektorin e ri të këtij institucioni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat