Një aeroport i Berlinit strehim për refugjatët

Lajme

Një aeroport i Berlinit strehim për refugjatët

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 01:00

Një aeroport gjerman që u bë i famshëm gjatë Luftës së Ftohtë po përdoret si strehë emergjence për refugjatët, ndërkohë që vendi po përpiqet të përballojë mbërritjet e vazhdueshme të mijëra azilkërkuesve.

Kur u ndërtua prej nazistëve, terminali i aeroportit Tempelhof mendohet se ishte ndërtesa më e madhe në botë. Autoritetet e Berlinit e kanë rikthyer tashmë në funksionim:

“Ne ofrojmë strehimin e emergjencës, por në realiteti kemi njerëz që duhet të ishin akomoduar tashmë me standarte më të larta se ajo çka mundemi t’u ofrojmë ne.”

Janë rreth 3 mijë emigrantë që jetojnë në katër hangarë avionësh. Shumica janë këtu që me çeljen e tyre katër muaj më parë. Ligji thotë se çdo rezident duhet të ketë 3 metra katrorë hapësirë private.

Këtu janë ndërtuar infermieri të mirëpajisura, klasa mësimi dhe qendra shëndetësore:

“Ka shumë pak vend për akomodim afatgjatë dhe njerëzit që duhet të largohen nuk kanë ku të shkojnë tjetërkund.”

Autoritetet e qytetit pranojnë se kushtet janë larg ideales, por thonë se numrat e shumtë të atyre që mbërrijnë kërkojnë zgjidhje urgjente.

Për shkak të hapësirave të ngjeshura, emigrantët e rinj u nënshtrohen kontrolleve të rrepta mjekësore. Një familjeje siriane iu refuzua hyrja:

“Jemi duke vuajtur prej pesë muajsh në këto kampe refugjatësh të Gjermanisë. Shpresojmë të gjejmë diçka më të mirë.”

Banorët e tjerë lavdërojnë punën e stafit:

“Atmosfera këtu është shumë e mirë. Njerëzit tregojnë respekt dhe kujdes.”

Ky aeroport është shumë i dashur për berlinezët.

Ai shërbeu si frymëmarrje për Berlinin Perëndimor, kur Bashkimi Sovjetik vendosi bllokadë ndaj qytetit gjatë fillimit të Luftës së Ftohtë. Furnizimet dërgoheshin me avionë amerikanë në aeroportin Tempelhof, që u mbyll në vitin 2008 duke shkaktuar debate për të ardhmen e tij.

Zyrtarët e qytetit të Berlinit miratuan rishtazi zgjerimin e strehimit të emergjencës edhe në fushën e madhe përpara aeroportit. Por, vetëm dy vite më parë, banorët e Berlinit patën votuar në një referendum për të ndaluar transformimin e mëtejshëm të kësaj toke.

Grupe që mbështesin refugjatët kanë demonstruar kundër propozimit për zgjerimin e strehimit:

“Duam të shikojmë apartamente për refugjatët. Po harxhojnë shumë para këtu për të ndërtuar këto vjetërsira,”- thotë anëtari i një grupi.

Pra, ky simbol i fuqishëm i Luftës së Ftohtë është shndërruar në një fushëbeteje ndërmjet vizioneve të ndryshme për zgjidhjen e krizës së emigrantëve në Berlin./Voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat