Zgjerohet aktakuza për të akuzuarin për terrorizëm (Video)

Lajme

Zgjerohet aktakuza për të akuzuarin për terrorizëm (Video)

Më: 12 shkurt 2016 Në ora: 00:21

Duke qëndruar në këmbë, nën masa të rrepta sigurie dhe i ulur pranë avokatit të tij, Kastriot Halimi dëgjoi prokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, teksa lexoi zgjerimin e aktakuzës ndaj tij.

Halimi deri në seancën e sotme akuzohej për veprën penale të lehtësimit për kryerjen e terrorizmit dhe rekrutim për terrorizëm, ndërsa nga seanca e sotme atij iu shtua edhe një vepër tjetër penale, organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Prokurori special Ali Rexha duke lexuar zgjerimin e aktakuzës tha se i akuzuari më 9 janar përmes pikës kufitare në Hanin e Elezit ka hyrë në Maqedoni dhe pastaj nga aeroporti i Shkupit ka udhëtuar për në Stamboll, prej nga ka shkuar në Siri.

Sipas prokurorisë, i akuzuari, është kyçur në organizatën terroriste ISIS.

Bashkë me të akuzuarin dyshohet se kanë udhëtuar edhe tre persona, Valon Alija, Haxhim Alija, të cilët sipas prokurorisë dyshohet se janë vrarë gjatë luftimeve në Siri ndërsa për Kujtim Xheladinin nuk dihet më shumë.

Halimi nga Prokuroria Speciale e Kosovës përpos vepër së lehtësimit të terrorizmi akuzohet edhe për rekrutim për terrorizëm.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, i akuzuari gjatë fundit të vitit 2014 dhe në fillim të 2015 në Gjilan dhe rrethinë ka ndihmuar disa persona që të shkojnë në Siri që t’i bashkëngjiten organizatave ISIS dhe AL-Nusra.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Halimi në shkurt të vitit 2015 i ka dhënë një të mituri 50 euro për nxjerrjen e dokumenteve personale, pasaportës, dhe pastaj edhe 250 euro për biletë të aeroplanit nga Prishtina për në Stamboll e pastaj deri në kufi me Sirinë.

Halimi, pasi dëgjoi akuzat, mohoi të gjitha pretendimet e prokurorit duke u deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Në këtë rast, të akuzuar janë edhe Dardan Kërqeli i cili akuzohet për lehtësim në kryerjen e terrorizmit. Kërqeli lidhur me këtë vepër e ka pranuar fajësinë.

Për dallim prej Kërqelit, i akuzuari tjetër në këtë rast Hajrullah Aliu, i cili akuzohet për moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre është deklaruar se ndihet i pafajshëm.

Në seancën e mbajtur në Themelore të Prishtinës, përpos zgjerimit të aktakuzës , u thanë edhe fjalët hyrëse të prokurorit por edhe avokatëve mbrojtës.

Prokurori Ali Rexha tha se pas dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave do të vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprat për të cilat akuzohen, ndërsa këto pretendime u hodhën poshtë nga avokatët mbrojtës duke pretenduar se nuk ka prova që ngarkon të mbrojturit e tyre.

Mentor Neziri, avokati i të akuzuarit Halimi, për KALLXO.com, tha se ai dhe i mbrojturi i tij nuk përjashtonin mundësinë e pranimit të fajësisë deri në seancën e sotme ndërsa pas zgjerimit të akuzës mohoi se do ta bëjnë këtë.

“Prokuroria është përcaktuar më parë për disa vepra për të mbrojturin tim dhe ne nuk e kemi mohuar mundësisë që i mbrojturi im ta pranojë njërën nga veprat penale mirëpo me zgjerimin e aktakuzës ne nuk e kemi pranuar fajësinë dhe për seancat e tjera sigurisht se do të prononcohemi sepse i mbrojturi im është i gatshëm të pranojë vetëm një vepër penale por jo tri”, tha Neziri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat