​Opozita mobilizon të rinjtë e Pejës për protestën e 17 shkurtit

Lajme

​Opozita mobilizon të rinjtë e Pejës për protestën e 17 shkurtit

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 23:16

Përfaqësues të opozitës së bashkuar kanë mbajtur një takim me të rinjtë e Pejës për të diskutuar lidhur me zhvillimet e muajve të fundit në jetën politike në Kosovë. Organizime të tilla të organizuara në vazhdimësi nga Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe NISMA, janë duke i paraprirë protestës së thirrur për 17 shkurt në kryeqytet, ku do të kërkohet që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe të bie Qeveria.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se Qeveria në vazhdimësi ka provuar të shantazhojë dhe frikësojë opozitën duke burgosur deputetët e aktivistët e saj. Ai, po ashtu, përmendi edhe pretendimet të ndryshme që thonë se AAK-ja është dakorduar për t’u përfshirë në koalicionin qeverisës, pasi ka pranuar një ofertë të tillë nga kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi.

Haradinaj: Menduan që munden të na frikësojnë dhe shantazhojnë

“A e dini çka kanë shpresu ata? Që mund të na rrahin e munden me na shti burgjeve, që munden të na diciplinojnë, mund të na frikësojnë, mund të na shatntazhojnë, të na joshin besa dhe të na blejnë. Shihni pak kronologjinë e veprimeve, burgosjen e deputetëve, sulmet në seli të partive, sulmet në shtëpi . A po e shihni se si është përdor një zinxhir i masave deri te ato që i dëgjoni se si Aleanca po hynë në Qeveri. Bile, bile e ka bërë një marrëveshje, veç nuk po tregojnë këta që shkoj Ramushi te presidentja, u kry kjo punë, mbet veç me u ba kryetar Qeverie”, tha Haradinaj.

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se në këto kohë Kosova po udhëhiqet nga njerëz që kanë shkelur sovranitetin e vendit duke nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin në Bruksel më 25 gusht të vitit të kaluar.

Konjufca: Udhëhiqemi nga njerëz që e shkelën sovranitetin e Republikës

“Ne udhëhiqemi prej disa njerëzve, të cilët janë të thirrur dhe kanë marrë përgjegjësi për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës, kurse vjet më 25 g usht i kanë lidhur dy marrëveshje të cilat e shkaktojnë saktësisht të kundërtën. E shkelin sovranitetin e Republikës tonë”, tha Konjufca.

Për Nderim Hysën nga NISMA, kjo situatë nuk është ajo që rinia ka kërkuar në vazhdimësi. Ai tha se rinia e Kosovës ka nevojë për punë dhe perspektivë evropiane përmes liberalizimit të vizave.

Hysa: Rinia e Kosovës ka nevojë për një të ardhme më të mirë

“Rinia e Pejës dhe e gjithë Kosovës ka nevojë për një të ardhme më të mirë. Për punësim, arsim dhe edukim më të mirë. Rinia e Kosovës për liberalizimi vizash, por ka nevojë që edhe pasi të përfundojnë studimet të gjenjë një vend punë që të pavarësohen dhe të nisin jetën e tyre”, tha Hysa.

Gjatë ditës së sotme, kryetari i AAK-së, Haradinaj, sot është takuar me strukturat e AAK-së edhe në Komunat e Istogut dhe Klinës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat