​LDK akuzon Ahmetin se është kapur nga “bossat” e Vetëvendosjes

Lajme

​LDK akuzon Ahmetin se është kapur nga “bossat” e Vetëvendosjes

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 20:26

Grupi i LDK-së në Kuvendin e Komunës së Prishtinës ka akuzuar sërish udhëheqjen komunale të prirë nga kryetari Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes, se qeverisja komunale është e kapur nga “bossat” e Vetëvendosjes, derisa Ahmetin e quan vetëm “marionetë” fatkeqe.

“Kryetari i kryeqytetit po u shërben “bossave” të zyrave politike të VV dhe përpjekjeve të tyre për rrëzimin e shtetit, duke mos kursyer nga kjo lojë, kryeqytetin dhe qytetarët e tij”, thuhet në komunikatë.

Sipas LDK-së, kryetari i Prishtinës, këtyre përpjekjeve, të rrëzimit të shtetit nga kryeqyteti, po u shërben me dëshirë e pa dëshirë.

“Të njëjtit, edhe kryetari i kryeqytetit edhe “bossat” e Vetëvendosjes, duke e parë dështimin e tyre politik, duke e shkelur ligjin dhe normat qytetëruese, po përpiqen që edhe festat shtetërore t’i shndërrojnë në festa me imazhin më të keq për Republikën, me imazhin e rrëzimit të shtetit”, thuhet tutje.

Grupi i LDK-së në Prishtinë, Ahmetin e akuzon edhe për ngjashmëri me bolshevikët.

“Shpend Ahmeti, duke parë dështimin e tij politik dhe administrativ në kryeqytet, po përpiqet që me pankarta megallomane, ideostaniliste, ngjashëm me pamjet e pankartave të së kaluarës Bolshevike, t’i mbulojë dështimet e tij në qeverisjen e Prishtinës. Kurrë, askush nuk do të mund t’ia kthejë Prishtinës dhjetëra (34-35 mil.) miliona projekte të humbura vetëm gjatë dy viteve të qeverisjes së dështuar të kryetarit të tanishëm të kryeqytetit.”

Në fund të komunikatës, grupi i LDK-së e fton kryetarin Ahmeti ta ndërrojë qasjen ndaj kremtimit të Ditës së Pavarësisë.

“Grupi e fton z. Ahmeti që kryeqyteti të stoliset me flamuj, me flamuj kombëtarë dhe të Republikës së Kosovës. Kërkohet po ashtu që kryeqyteti të ketë atmosferë kremteje shtetërore dhe kombëtare e jo atmosferë proteste të dhunshme, si deri më tani”, përfundon komunikata.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat