​Vazhdon përkrahja për Mamografin Mobil

Lajme

​Vazhdon përkrahja për Mamografin Mobil

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 20:10

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra përcolli sot punën e Mamografit Mobil ( Ma-Mo), i cili aktualisht është në Fushë Kosovë, e ku po ekzaminohen gratë e kësaj komune nga të gjitha nacionalitetet. Me këtë rast ekipit të Ma-Mo iu dhurua një laptop dhe një printer, donacion i mbledhur nga punonjësit e OSBE-së.

Duke falënderuar për donacionin, koordinatori i ekipit të Ma-Mo, Ardian Biçaku, njoftoi se deri me tani Ma-Mo ka qenë në 14 komuna dhe janë ekzaminuar rreth 2700 gra, nga të cilat janë diagnostifikuar 25 raste me kancer të gjirit.

Blerta Deliu-Kodra duke përgëzuar ekipin për punën e mirë që po bëjnë theksoi që GGD po përcjell vazhdimisht punën e Ma-Mo, duke parë me shqetësim numrin e të prekurave me kancerin e gjirit. Ajo është shprehur se GGD i ka dhënë përkrahje edhe projektit Ma-Mo 2, për të cilin nga buxheti janë ndarë 240,000 euro, duke sqaruar se ky mamograf statik do të vendoset në Klinikën Onkologjike.

Pastaj Oliver Schutte nga OSBE-ja ka theksuar se organizata, të cilën e përfaqëson, e ka përkrahur GGD-në në këtë projekt që nga viti 2012 dhe se ky donacion për ekipin Ma-Mo, është vazhdimësi e përkrahjes.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat