SHBA: Dhuna e pafund dhe zgjedhjet nuk janë të mira për Kosovën

Lajme

SHBA: Dhuna e pafund dhe zgjedhjet nuk janë të mira për Kosovën

Më: 11 shkurt 2016 Në ora: 11:14

Kosova tashmë ka hyrë në muajin e gjashtë të krizës politike e cila tani për tani nuk po mund të gjejë zgjidhje për të dalë nga kjo situatë.

Pozita e opozita assesi nuk po pajtohen që të ulen e të diskutojnë rreth marrëveshjeve për të cilat opozita edhe po vazhdon të bllokojë punën e Kuvendit të Kosovës.

E para e vendit, Atifete Jahjaga ndonëse u mundua muaj më parë që të gjejë një zgjidhje për të dalë nga kjo situatë, ajo të njëjtën gjë e bëri edhe të hënën ku ftoj në takim liderët politikë.

Pjesë e këtij takimi përpos presidentes, ishin kryeministri Isa Mustafa, zëvendësi i tij Hashim Thaçi, lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, ambasadori i Amerikan Greg Delawie dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Takimi rezultoi pa ndonjë rezultat pozitiv karshi zgjidhjes së krizës politike.

Mirëpo pavarësisht kësaj, Ambasada Amerikane në Prishtinë si rrugë të vetme që Kosova të ec përpara e sheh vazhdimin e takimeve të tilla në mes të liderëve politikë.

Të paktën kështu ka deklaruar për Indeksonline, zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Philip Drewry.

“Udhëheqësit politikë duhet të vazhdojnë të takohen dhe të diskutojnë fushat ku kanë mospajtime për të gjetur një zgjidhje konstruktive përmes një diskutimi të sinqertë lidhur me sfidat me të cilat përballet ky shtet. Kjo është e vetmja rrugë logjike e Kosovës për të shkuar përpara”, ka thënë Drewry.

Ai më pas ka theksuar se të pasurit e një Kuvendi dhe qeverie stabile dhe funksionale është themeli i gjithçkaje tjetër që Kosova po mundohet të arrijë në zhvillimin ekonomik, sundimin e ligjit, sigurinë e kufirit, liberalizimin e vizave, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, dhe në fushat tjera.

Drewry ka theksuar më pas se zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin të mira për Kosovën, sepse do të shpenzonin shumë kohë dhe se do të dërgonin mesazhin e gabuar tek ata që përmes dhunës po mundohen ti arrijnë qëllimet e tyre politike.

“Zgjedhjet e parakohshme nuk do të ishin të mira për Kosovën. Do të shpenzoheshin kohë dhe energji që janë tepër të nevojshme për prioritete më të ngutshme, siç janë lufta kundër korrupsionit dhe zhvillimi i ekonomisë. Veç kësaj, zgjedhjet e parakohshme vështirë se do të ndryshonin përbërjen e qeverisë. Po ashtu, zgjedhjet e parakohshme do të dërgonin mesazhin e gabuar te ata që humbën në kutinë e votimit dhe tash po mundohen që t’i arrijnë qëllimet e tyre politike përmes dhunës. Një cikël i pafund i dhunës dhe zgjedhjeve nuk është i mirë për Kosovën - pa marrë parasysh se cila parti është në pushtet”, ka shtuar Drewry.

Sa i përket asaj se a do të ndërhyjë tash e tutje SHBA-ja për të ndihmuar zgjidhjen e krizës politike në vend, sipas zëdhënësit të Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë, Philip Drewry, SHBA-të janë të gatshme çdo herë ti ndihmojnë Kosovës.

“Ambasada e SHBA-ve është e gatshme që të mbështesë Presidenten dhe udhëheqësit politikë që të vazhdojnë bisedimet për të gjetur gjuhë të përbashkët në mënyrë që t’i mundësojnë Kosovës që të shkojë përpara për të mirën e popullit të saj”, ka thënë Drewry, duke shtuar më pas se siç tha edhe Ambasadori Delawie të martën në fjalimin e tij para shërbyesve civilë – bashkësia ndërkombëtare është këtu për të ndihmuar mirëpo Kosova, institucionet e saja, dhe qytetarët e saj, duhet të prijnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat