Mustafa në cilësinë e kryetarit të LDK-së, i bën ftesë Haradinajt

Lajme

Mustafa në cilësinë e kryetarit të LDK-së, i bën ftesë Haradinajt

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 18:45

Kryeministri Isa Mustafa e ka vlerësuar lartë pjesëmarrjen e Ramush Haradinajt në takimin e ftuar nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga. “Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.

Ja postimi i plotë

Miq të nderuar,
Dialogu, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt.

Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.

Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme.

Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë- opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.

Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat