«Shkije» e «Shiptari»: Pse ka aq shumë urrejtje mes dy popujve?

Lajme

«Shkije» e «Shiptari»: Pse ka aq shumë urrejtje mes dy popujve?

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 09:15

Mbi raportet shqiptaro-serbe kanë diskutuar Rigels Halili, ligjërues në Universitetin e Varshavës, dhe Aleksandar Pavloviq, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Grazit. Një debat mbi stereotipat e përhershëm, keqkuptimet dhe kumbaritë mes dy popujve në emisionin «Most» (Ura) të Radio Europa e Lirë.

Së fundi në Beograd janë prezantuar rezultatet e hulumtimit në kuadër të projektit «Figura e armikut: rivlerësimi i marrëdhënieve serbo-shqiptare». Shkencëtarë të rinj serbë dhe shqiptarë janë përpjekur të japin një pasqyrë tjetër të raporteve mes dy popujve, përtej klisheve, paragjykimeve dhe stereotipave. Në ekipin që ka përgatitur studimin kanë qenë edhe Rigels Halili, kulturolog dhe ligjërues në Universitetin e Varshavës, dhe Aleksandar Pavloviq, bashkëpunëtor shkencor në Qendrën për Studime të Europës Juglindore të Universitetit të Grazit. Lidhur me këtë temë në emisionin «Most» (Ura) të Radio Europa e Lirë kanë diskutuar Pavloviq dhe Halili. Në vijim po sjellim detajet më të rëndësishme nga bashkëbisedimi i tyre, i moderuar nga gazetari Omer Karabeg.

Cilat janë stereotipat më të shpeshta negative te serbët dhe shqiptarët?

Aleksandar Pavloviq: Te ne stereotipi kryesor është viktimizimi, domethënë serbët paskan qenë gjithmonë viktima të shqiptarëve. Të hiperbolizojë pak – në vetëdijen e shumë serbëve mbretëron besimi se shqiptarët edhe sot, e qe besa edhe në të kaluarën, nuk kanë bërë gjë tjetër përveç se kanë menduar t’u bëjnë dëm serbëve.

Rigels Halili: Pak a shumë bëhet fjalë për paragjykime të njëjta. Te shqiptarët paragjykimi kryesor është se serbët përherë kanë qenë armiqtë tanë, se gjithmonë kanë vrarë shqiptarë, ndërsa shqiptarët përherë kanë qenë viktima.

Aleksandar Pavloviq: Shqiptarët në Serbi shikohen nga prizmi shumë negativ. Kjo është vazhdimësi të cilën mund ta përcjellim më shumë se 100 vite. Por nuk ka qenë përherë kështu. Stereotipat negativ për shqiptarët shfaqen në çerekun e fundit të shekullit të 19- të, pasi filloi kriza e madhe lindore, kur Serbia dëshironte të zgjerohej me territor në trevat që atëherë i takonin Perandorisë Osmane, sidomos në ato ku jetonin shqiptarët. Atëherë shqiptarët hynë në fokusin e perceptimit të intelektualëve serbë, idetë e tyre i pranoi shtypi, kështu që imazhi negativ për shqiptarët u përhap në popull.

Rigels Halili: Si shqiptar nga Shqipëria mund të them se duhet bërë dallimin mes Kosovës dhe Shqipërisë, sepse që nga viti 1948 në Shqipëri nuk ka më serbë. Për shqiptarët ekziston vetëm Jugosllavia dhe të gjithë popujt që jetojnë në atë vend janë jugosllavë. Natyrisht, përveç shqiptarëve që jetojnë në Kosovë. Gjatë kohës së komunizmit nuk kanë ekzistuar paragjykime ndaj serbëve, sepse me ta nuk kemi pasur asnjë kontakt. Shqipëria ishte tërësisht e izoluar, ndërsa Jugosllavia ishte terra incognita. Paragjykimet filluan pas vitit 1999, kur në Shqipëri u shfaq retorika nacionaliste për shkak të Kosovës dhe refugjatëve kosovarë të cilët erdhën në Shqipëri në vitet 1999 dhe 1998. Ky ishte fillimi i valës së paragjykimeve ndaj serbëve. Por nga ana tjetër në Shkodër, në Tiranë dhe në qytetin tim të lindjes, në Gjirokastër, përherë kemi dëgjuar muzikën serbe, kemi ndjekur sportin serb, e kemi ditur cilët kanë qenë basketbollistët dhe futbollistët serbë, kështu që ekziston një këndvështrim pozitiv ndaj Serbisë. Kur para disa viteve Goran Bregoviqi dha koncert në Tiranë, qindra-mijëra njerëz erdhën në atë koncert. Askush nuk tha – ai është serb, por se ajo është muzikë e mirë, e jona, ballkanike. Bregoviqi atëherë mori çelësin e qytetit nga kryetari i Tiranës Edi Rama, i cili tani është kryeministër. Do të thosha se ky raport nuk është vetëm bardh e zi, aty ka edhe ngjyra të tjera.

Sa e di unë, në gjuhën shqipe emërtimi përbuzës për serbët është shkije. Sa përdoret kjo fjalë në Kosovë dhe Shqipëri? A haset në media?

Rigels Halili: Kjo fjalë përdoret vetëm në Kosovë. Nuk do të thosha se haset në mediume. Shpesh mund ta hasni në forumet e internetit. Ne në Shqipëri themi vetëm serbët. Por edhe fjala serb ka konotacion negativ, sepse është e ndërlidhur me paragjykime. Është interesante se fjala jugosllav ka konotacion pozitiv. Kjo është mbase nostalgjia postjugosllave në Shqipëri. Kjo është ironi absolute.

Sa është e përhapur fjala shkije në Kosovë?

Rigles Halili: Dëgjohet në rrugë, në kafehane. Pleqtë thonë shkije, të rinjtë jo aq. Të rinjtë thonë serbë, thonë edhe shkije, por më shumë serbët, ndërsa në mediume përdoret vetëm fjala serbët.

Cili është kushti kryesor për pajtimin mes dy popujve? Thuhet se zëvendësministri i punëve të jashtme të Kosovës, Petrit Selimi, ka deklaruar se pajtimi do të ndodh kur dikush nga zyrtarët serbë do të kërkojë falje për krimet e kryera në vitet 1998 dhe 1999?

Rigels Halili: Do të thosha se kërkimfalja është kushti kryesor, por vetëm nëse është e sinqertë, jo e detyruar. Kërkimfalja është vlerë kur e ndjejmë nevojën ta shprehim, jo kur pala tjetër na thotë – duhet të kërkoni falje për atë që keni bërë. Ky është fillimi i pajtimit dhe këtë duhet ta bëjë një politikan i guximshëm. Kur bëhet fjalë për palën shqiptare, duhet të dalë ndonjë politikan i guximshëm shqiptar i Kosovës dhe të thotë – ja, këtë ua kemi bërë ne juve, ne kërkojmë falje dhe duam të jetojmë me ju në paqe. Këtë nuk do ta bëjë Edi Rama i cili nuk ka legjitimitet ta bëjë këtë në emër të shqiptarëve të Kosovës, sepse ai është kryetar i Qeverisë së Shqipërisë, jo Kosovës. Natyrisht, edhe pala serbe duhet ta bëjë këtë, nuk dua të minimizojë përgjegjësinë e saj. Me këtë mund të fillojë procesi i pajtimit, pastaj hap pas hapi – të bëhet një libër, një film, pastaj diskutim, mandej edhe pala tjetër të shoh se edhe ne kemi bërë diçka, jo vetëm ata. Ky është një proces i gjatë, do të punojmë tërë jetën, Aleksandri dhe unë.

Aleksandar Pavloviq: Kërkimfalja gjithsesi është e nevojshme, por nuk është kusht i mjaftueshëm. Të jem i qartë: kërkimfalja për krimet e kryera duhet të jetë prerogativë etnike. Nuk mjafton të shprehet kërkimfalja në kuptimin – Willy Brandti derdh lot dhe menjëherë fillon pajtimi. Boris Tadiqi ka pasur disa deklarata në të cilat i ka kërkuar falje kroatëve për krimet e kryera nga pala serbe. Kjo ka ndikuar në përmirësimin e marrëdhënieve serbo-kroate, por klima politike ka ndryshuar dhe tash kemi raporte më të këqija se para shtatë apo tetë viteve, gjë që është nonsens./Marrë me shkurtime.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat