Banda e policëve: Do vazhdojmë të vrasim kriminelët (Video)

Lajme

Banda e policëve: Do vazhdojmë të vrasim kriminelët (Video)

Më: 10 shkurt 2016 Në ora: 00:46

Nuk e kemi vetëm në Shqipëri problemin e ekzekutorëve të veshur si policë.

Edhe në Irlandë, një grup personash të maskuar si policë u futën në një hotel gjatë një aktiviteti dhe vranë një kriminel, të quajtur David Byrne.

Ata hapën zjarr gjatë peshimit që po u bëhej dy boksierëve përpara një ndeshje për titull botëror.

Fillimisht policia mendoi se ishte larje hesapesh mes bandash, por duket se historia nuk është kështu.

Ushtria Republikane Irlandeze (IRA) ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Sipas BBC, bëhet fjalë për një grupim të quajtur Vazhdimësia-IRA, që ka shënjestruar trafikantët e drogës dhe kriminelët.

Tre persona me uniforma të forcave speciale dhe të armatosur me AK47 hapën zjarr në hotel.

Në një deklaratë për BBC, grupi republikan i linjës së ashpër thotë se e kanë ekzekutuar David Byrne, 33 vjeç, si hakmarrje për vrasjen e Alan Ryan katër vjet më parë.

Ryan, 32 vjeç, ishte një nga drejtuesit e një tjetër grupi disident republikan, të quajtur Real-IRA.

Ai u vra në shtator të vitit 2012.

“Edhe pse nuk ishte anëtar i organizatës sonë, ne nuk do të zmbrapsemi dhe nuk do të lejojmë trafikantët dhe kriminelët të shënjestrojnë republikanët,” thuhet në deklaratën e Vazhdimësisë-IRA.

Ata kanë paralajmëruar të tjera sulme.

“Njësitë tona janë autorizuar për të tjera operacione. Më shumë trafikantë droge dhe kriminelë do shënjestrohen”.

Policia irlandeze ka shtuar masat e sigurisë pasi druhet se mund të ketë hakmarrje pas sulmit.

Ndërkohë, presidenti i Sinn Fein, Gerry Adams, ka mohuar që Vazhdimësia-IRA të ketë lidhje me Ushtrinë Republikane Irlandeze.

“Ata nuk janë IRA. IRA ka ikur dhe armët e tyre nuk janë më”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat