"Kërcënon" Xhavit Haliti: Nëse opozita mundohet ta prish seancën për presidentin, edhe pozita ka alternativat saj

Lajme

"Kërcënon" Xhavit Haliti: Nëse opozita mundohet ta prish seancën për presidentin, edhe pozita ka alternativat saj

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 23:04

Nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti duke e komentuar fjalorin e ashpëruar në mes të liderëve të partive politike, thotë se edhe politikanët janë njerëz dhe edhe atyre ju ndodhë të shajnë.

“Ne jemi njerëz prej mishit dhe gjakut dhe prapë ne po kërkojmë bashkëpunim me opozitën. Thaçi nuk e ka vështirë të kërkojë falje dhe unë jam i gatshëm të kërkoj fale nëse është prekur dikush nga deklaratat tona. Por, edhe opozita duhet të kërkoj falje”, ka deklaruar Haliti.

Nënkryetari i PDK-së ka folur edhe për seancat e zhvilluara në sesionin vjeshtor.

“Ne kemi mbajtur disa seanca në rrethana të jashtëzakonshme. Në të gjitha mediumet, paraqitja e Kosovës para botës e ka sallën e Kuvendit të tymosur. Unë herën e parë kur kanë gjuajtur më vezë mu ka dukur shumë interesant. Mirëpo, të zgjas kaq shumë nuk është mirë për ne të gjithë. Duhet të ketë vullnet të dyanshëm për të biseduar për të ardhmen e Kosovës. Jemi lodhur nga këto seanca nën trysninë e vezëve dhe gazit”, është shprehur Haliti në emisionin “Politikë” në Tribuna Channel.

Ai ka deklaruar se njerëzit në politikë duhet të reflektojnë dhe të ulën që t’i zgjedhin problemet që ekzistojnë. Ndërsa, duke komentuar deklaratën e ambasadorit Delawie se Kosova është në prag të humnerës, Haliti ka thënë se kjo deklaratë duhet të merret seriozisht për shkak të interesave të Kosovës.

“Interesi ynë është që Kosova të ecë përpara dhe t’i trajtojë çështjet ashtu siç trajtohen në vendet demokratike. Ky momentun që ka ardhur është i papranushëm për çdo vend demokratik. Angazhimi i Amerikës për Kosovën dhe deklarimi i Delawie duhet merret tepër seriozisht nga të gjithë ne. Ne nuk duhet të jemi mosmirënjohes dhe mos ulja në tavolinë e brengos secilin ambasador. Delawie më këtë e ka përçu mesazhin më të fuqishëm drejtuar nesh”, ka deklaruar Haliti.

Ai ka folur edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm duke bërë me dije se ende nuk është vendosur për seancën në të cilën do të votohet presidenti i ardhshëm.

“Jemi në fazën e analizimeve dhe ende nuk është vendosur për seancën në të cilën do të zgjidhet presidenti i ardhshëm. Marrëveshja me LDK-në do të realizohet. Unë pres që opozita të sfidojë Thaçin më kandidatin e saj. Megjithatë, nuk besoj që dikush mund ta sfidojë Thaçin për president. Ne si PDK presim që Thaçi të zgjidhet që në raundin e parë më 80 vota”, ka shtuar Haliti.

Ai nuk ka pranuar të përgjigjet nëse do të pranonin që presidenti të zgjidhet në sallën rezervë në rast se opozita e pengon zhvillimin e seancës. Ka thënë se Kryesia e Kuvendit nuk ka mbajtur mbledhje për ta diskutuar këtë çështje. Mirëpo, sipas Halitit, nëse opozita mundohet ta prish seancën, atëherë edhe pozita i ka alternativat e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat