Dorëzohet i shumëkërkuari për rastin “Medicus” - Dr. Kenan Demirkol, shoku i “Dr. Vampirit”

Lajme

Dorëzohet i shumëkërkuari për rastin “Medicus” - Dr. Kenan Demirkol, shoku i “Dr. Vampirit”

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 17:45

Është dorëzuar i shumëkërkuari prej drejtësisë kosovare mjeku turk, Kenan Demirkol, si i dyshuar për përfshirje në transplantimin e organeve i njohur prej rastit “Medicus”.

Dorëzimi i tij është bërë më 25 janar të këtij viti, pas negociatave që kishte zhvilluar Demirkol me drejtësinë kosovare, përmes avokatit të tij Ismet Shufta.

Ky i fundit, për “Betimin për Drejtësi” ka thënë se mjeku Demirkol është dorëzuar vullnetarisht dhe ka shfaqur gatishmërinë e tij që të përballet me hetimet në çdo fazë.

“Mjeku më ka kontaktuar vet dhe më ka kërkuar që të dorëzohet në mënyrë që të hiqet fletarresti ndërkombëtar ndaj tij, pasi ishte në kërkim nga Interpol”, tha avokati Shufta.

Më pas, ai thotë se kishte drejtuar një shkresë në organet gjyqësore, duke shprehur gatishmërinë e klienti të tij që me disa kushte të ofrohej për drejtësinë në Kosovë.

“Në shkresë kam treguar se mjeku Demirkol dëshiron të jap deklaratë, por kushti i tij ka qenë që hiqet fletë arresti dhe mos të ndiqet nga organet e ndjekjes”, tha Shufta për “Betimin për Drejtësi”.

Bazuar në shkresat e lëndës së rastit “Medicus”, rezulton se pas shpalljes së aktgjykimit për rastin e njohur si “Medicus 1”, ishin zgjeruar hetimet ndaj nëntë personave, në mesin e të cilëve ishte edhe mjeku turk Kenan Demirkol.

Avokati Shufta thotë se hetimet për këtë rast ishin pezulluar gjatë vitit 2014, për shkak se kishte persona të paarritshëm për drejtësinë kosovare.

Dorëzimi i Demirkolit më 25 janar të këtij viti dhe dhënia e deklaratës së tij në Prokurorinë Speciale, ka bërë që të hiqet flet-arresti ndaj tij dhe të vazhdojnë hetimet për rastin e njohur “Medicus2” .

Gjatë deklarimit të tij në Prokurorinë Speciale, mjeku Demirkol ka mohuar përfshirjen e tij në transplantim organesh. Ai gjithashtu mësohet se ka mohuar po ashtu deklaratat e dëshmitarëve, se kishte kryer transplantime, ka mohuar regjistrin e anasteziologëve, ku figuronte emri i tij si pjesëmarrës në operacionet e transplantimit të veshkave që ishin kryer në klinikën “Medicus”.

Mjeku Kenan Demirkol ka pranuar se i njeh mjekët e përfshirë në rastin “Medicus”, dhe se kishte kryer operacione me ta, por jo operacione të transplantimeve, por operacione të përgjithshme.

Avokati Shufta thotë se më herët ishte kontaktuar shpesh edhe nga mjeku tjetër turk po ashtu i kërkuar nga “Interpol” Dr. Yusuf Somnez (Dr. Vampiri), i cili po ashtu e kishte shqyrtuar mundësinë e dorëzimit të tij tek organet e ndjekjes në Kosovë. Tash për tash, Somnezi, sipas avokatit Shufta, nuk po kërkohet vetëm nga Kosova, por edhe nga Federata e Rusisë.

Ndërkohë, në prill 2013 gjykata kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve në rastin “Medicus”, por ky vendim ende nuk është vendosur në instancat më të larta gjyqësore. Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore, e cila kishte zhvilluar 106 seanca gjyqësore prej tetorit 2011, ishte dënuar Lutfi Dervishi me tetë vjet burg e 10 mijë euro, djali i tij, Arban Dervishi, me shtatë vjet e tre muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë, Sokol Hajdini me tre vjet burg, si dhe anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla me nga me një vit me kusht që të mos përsërisin veprën e njëjtë penale.

Ish-sekretar permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj, ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi vepra për të cilën ai akuzohej ishte vjetërsuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat