FMN-ja e kënaqur me Qeverinë, rrezikun e sheh nga tensionet në Kosovë

Lajme

FMN-ja e kënaqur me Qeverinë, rrezikun e sheh nga tensionet në Kosovë

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 11:38

Fondi Monetar Ndërkombëtar konsideron se ngritja e tensioneve politike në Kosovë mund të minojë besimin e investitorëve dhe konsumatorëve, siç ka ndodhur në vitin 2014 me ngërçin politik.

Bordi i FMN-së, ka miratuar rishikimin e parë të programit të FMN-së me Kosovën si dhe ka vlerësuar se të gjithë indikatorët janë përmbushur duke përfshirë edhe reformat fiskale e strukturore që ishin paraparë, tha në një paraqitje para gazetarëve, përfaqësuesi i FMN-së për Kosovë, Ruud Vermeulen.

“Para se ne të ishim në gjendje të dorëzojmë rishikimin e parë për miratim, është dashur që qeveria ti bëjë dy veprime paraprake, ato kanë përfshirë miratimin nga ana e Kuvendit të ligjit për buxhetin, ashtu siç jemi pajtuar ne gjatë takimeve me qeveritarët, si dhe lëshimin e fondeve të privatizimit nga ana e Agjencisë Kosovare të Privatizimit”, citon TRT përfaqësuesin e FMN-së.

Fakti se ky rishikim është miratuar nënkupton që këto veprime të kërkuara nga ana e qeverisë janë përmbushur. Gjithashtu kjo nënkupton se tani është në dispozicion edhe pjesa tjetër e fondeve për qeverinë e Kosovës në vlerë prej 35 milionë eurosh, që kjo e ngrit totalin e mjeteve të dedikuara për qeverinë në 70 milionë euro. Vermeulen tha se me këtë marrëveshje janë paraparë gjithsej 184 milionë euro të cilat do t’i vihen në dispozicion Kosovës në një periudhë kohore prej 22 muajsh, qëllimi i të cilave është të sigurohet një stabilitet makro-financiar dhe një rritje ekonomike.

“Ende ka kohë deri në përmbylljen e këtij programi, por ne jemi në një rrugë të mbarë, kemi kohë deri në maj të vitit të ardhshëm. Deri atëherë do të jenë edhe tri rishikime tjera, të gjitha këto rishikime përsëri do të përshijnë kushtet e reja të cilat duhet të përmbushën nga ana e Kosovës.”

Në Uashington së fundi është bërë publikimi i raportit të stafit i cili vjen si rrjedhojë e diskutimeve në nivel të politikave.

“Vlerësimi i FMN-së është se Kosova ka realizuar një progres të mirë në programin e reformave ekonomike. Kosova është duke u rimëkëmbur nga një ngadalësim i zhvillimit ekonomik që është parë në vitin 2014 kur është regjistruar një rritje prej 1.2%. Po ashtu edhe si pasojë e ngërçit politik të asaj kohës pas zgjedhjeve të 20014, gjë që ka ndikuar edhe në ngadalësim të konsumit dhe një ulje të investimeve”, tha Vermeulen.

Për vitin 2015 vlerësimet e fundit për rritjen ekonomike janë 3.5%, e që këto janë parashikime më të larta se që është pritur prej 3.2%. Kjo ndodhë për shkak të fuqizimit të hyrjeve të remitancave dhe të investimeve të huaja direkte, por edhe për arsye të rritjes së kërkesës vendore pas atij ngadalësimi të një viti më parë, tha përfaqësuesi i FMN-së.

“Kjo rimëkëmbje po vazhdon, për këtë vit 2016 parashikimet janë për një rritje prej 3.8% e cila më pastaj do të vazhdojë deri në 4%, që është një drejtim i mirë, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kosovës i duhet të bëjë shumë më shumë në mënyrë që të ketë një zhvillim të dukshëm, që ta trajtojë papunësinë. Gjithashtu ekzistojnë disa rreziqe në këtë rrugë, një prej të cilave është situata e vështirë politike, e cila mund të ketë ndikim në uljen e besimit të konsumatorëve, por edhe të investimeve, dhe e cila mund të ndikojnë në uljen e inkasimit të të hyrave”, theksoi ai.

Si duket ky program do të shkojë edhe në rishikimin e dytë mirë, pasi që të gjitha caqet të cilat i ka pasur qeveria deri në muajin gusht, janë përmbushur me lehtësi mjaft të madhe, potencoi Ruud Vermeulen.

“Të dhënat që i kemi për vitin 2015, tregon se kjo situatë do të vazhdojë edhe më tej, deficiti është ulur dhe tani është në kufirin prej 2% të bruto prodhimit vendor, që është në kuadër të tavanit të paraparë me ligjet e rregulloret përkatëse për deficitin. Ky është edhe një objektiv i jonë, sepse ne parashohim të ketë një përgjegjshmëri më të madhe fiskale. Gjithashtu janë bërë disa rregullime fiskale të cilat kanë përfshirë mes tjerash edhe disa përmirësime në kuadër të buxhetit.”

Ky zyrtar i FMN-së tha në vazhdim se rezultati më i mirë fiskal, është gjithashtu si rrjedhojë e uljes së disa shpenzimeve jo-produktive nga ana e qeverisë, duke përfshirë për paga e mëditje, mallra e shërbime, subvencione e transfere dhe i ka hapur kjo rrugë investimeve të shumë nevojshme në infrastrukturë dhe në fusha të tjera.

“Gjithashtu mbledhja e tatimeve ka qenë e mirë në vitin 2015, pak a shumë ka qenë në pajtim me synimet e parapara. Fillimisht ne kemi pasur disa shqetësime në lidhje me të hyrat jo tatimore. Por edhe kjo është trajtuar si duhet dhe kjo është ndihmuar shumë me përfundimin e shitjes së licencave të Telekomit, që është përfunduar në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka kapur shumën e 15 milionë eurove apo gjithsej 0.3% të bruto-produktit vendor.”

Kjo performancë e mirë fiskale është vlerësuar lartë nga FMN, ashtu si edhe miratimi i buxhetit.

“Për vitin 2016 një veprim që ishte i domosdoshëm nga ana e qeverisë ishte miratimi i buxhetit duke përfshirë të gjitha caqet që janë paraparë aty. Kjo është bërë tani më. Janë konfirmuar ato caqe por edhe masat e nevojshme për realizimin e atyre caqeve. Në vitin 2016 duhet të bëhen edhe disa ngjeshje të shpenzimeve në mënyrë që të hyrat të rriten deri në nivelet prej 1.6% të BPB-së që është një rezultat i dëshirueshëm.”

Miratimi i këtij buxheti të vitit 2016 përfshirë të gjitha nivelet e parapara kanë bërë të implementohen edhe dispozitat e ligjit të pensioneve të financuara nga shteti të vitit 2014, për çka janë alokuar këtë vit 23 milionë euro gjithsej. Kjo sipas Vermeulen, ka bërë që gjithashtu benefitet sociale të rriten në vlerë prej 25%.

“Nga ana financiare sistemi bankar i Kosovës veçse ka qenë në një pozitë shumë të mirë para miratimit të programit tonë, por kemi parë që masat të cilat janë implementuar me këtë program kanë bërë që ky sistem bankar të jetë edhe më i fuqishëm, që bankat të jenë edhe më të forta. Këto kanë përfshirë kornizën e asistencës së likuiditetit emergjent, që tani është fut në pajtim me praktikat më të mira ndërkombëtare.”

FMN e sheh të rëndësishme monitorimin më të mirë të bankave.

“Këtë vit mbikëqyrja në bazë të rrezikut është planifikuar të shkrihet edhe në 3 banka shtesë, gjithashtu ky është një hap i mirë. Po ashtu banka qendrore është duke shqyrtuar edhe futjen e sistemit të makro-kujdesit, që do ta ndihmojë Bankën Qendrore që të vlerësojë e monitorojë rreziqet në një mënyrë më të mirë. Gjithashtu jemi në diskutime për ti larguar disa prej pengesave lidhur me lëshimin e kredive dhe këtu përfshihen disa vakuume ligjore, zbatimi më i mirë i kontratave. Vakuume ligjore përfshijnë p.sh. mos-pamundësinë e kundërshtimit të vendimeve të përmbaruesve privatë, në sistemin e gjykatave, gjë që ka penguar realizimin e marrëveshjeve dhe kontratave. Gjithashtu jemi duke rishikuar edhe sistemin në përgjithësi të veprimit të përmbaruesve privatë. Është bërë veçse një plan i veprimit lidhur me këtë. Gjithashtu BQK është në proces për futjen e një regjistri të mbajtësve të llogarive.”

Përfundimisht, sipas Ruud Vermeulen, janë bërë edhe disa hapa për fuqizimin e aftësisë konkurruese dhe përmirësimit të mjedisit për të bërë biznes.

“Është një lajm i mirë gjithashtu që qeveria ka proceduar dhe parlamenti veç se e ka miratuar rregullin e pagave, përmes të cilave nuk do të lejohet më rritja e paqëndrueshme e pagave që bëhet kryesisht rreth periudhave të zgjedhjeve gjë që ka ndikuar në ulje të konkurrueshmërisë por edhe rritjes së kostos së fuqisë punëtore. Kjo fillimisht ka qenë e paraparë të bëhet në mars të këtij viti, pra të 2016, por ne jemi shumë të lumtur që qeveria ka lëvizur në mënyrë shumë ekspeditive dhe këtë veçse e ka përfunduar.”

Ligji për rritjen e pagave nuk do të hyjë në fuqi deri në vitin 2018, por atëherë kur të hyjë në fuqi, pagat do të lidhen me zhvillimin ekonomik. Pra duhet të bëhet një reflektim i zhvillimit ekonomik para se të bëhet lëvizja në paga. Ky përfaqësues i FMN-së për Kosovë, e përsëriti edhe njëherë rrezikun që i kanoset ekonomisë së vendit nga rritja e tensioneve.

“Nga ana jonë gjithsesi se kjo paraqet rrezik kyç që mund të minojë besimin e investitorëve, konsumatorëve siç ka ndodhur në vitin 2014 me gërçin politik. Gjithashtu ka shqetësime që Kuvendi i Kosovës të mos jetë funksional, të mos mund të miratohen ligjet e reja dhe ky është padyshim që duhet të merret parasysh. Unë thash se parashikimi jonë për rritjen ekonomike të këtij viti do të jetë 3.8% por nëse kjo situata vazhdon më tej ne duhet të bëjmë një ndryshim të këtij parashikimi”.

***Nga zhvillimet e tjera javore, veçojmë vizitën e krye-parlamentarit Kadri Veseli, bërë Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Brenda dy javësh, Agjencia Kosovare e Privatizimit do të publikoj në ueb faqen e saj listën me emra të të gjitha pronave të uzurpuara në Kosovë. Kështu ka premtuar kreu i Kuvendit Veseli pas takimit që pati me kryetarin e Bordit të AKP-së Petrit Gashi.

“Jemi marr vesh që AKP të publikojë brenda dy javëve të gjithë emrat e uzurpatorëve të aseteve shtetërore në ueb faqe. Me ketë rast i bëjë thirrje institucioneve të gjyqësisë që të ndërmarrin hapa ndaje uzurpuesve”, tha Veseli.

Ndërkohë, kryesuesi i Bordit të AKP-së, Petrit Gashi ka premtuar se shumë shpejtë do të dalin me një zgjidhje për ish punëtorët e fabrikës së tubave në Ferizaj.

“Diskutuam për shumë çështje, njëra ndër to është edhe transparenca në procesin e privatizimit si dhe shtimin e intensitetit të punës së AKP-së si privatizimi,shpërndarja e mjeteve të 20 përqindëshit. Shumë shpejtë do të dalim më një zgjidhje edhe për ish punëtorëve e fabrikës së tubave në Ferizaj, por fillimisht jemi duke e bërë një listë të prioriteteve”, - tha Gashi.

Ndryshe, krye-parlamentari Kadri Veseli tha të këtë biseduar me përfaqësuesit e AKP-së edhe për Trepçë, e cila kompani, sipas tij nuk do të privatizohet, por do të mbrohet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat