A e ndan Sorosi Berishën me Bashën? (dhe një reagim i Izet Haxhisë)

Lajme

A e ndan Sorosi Berishën me Bashën? (dhe një reagim i Izet Haxhisë)

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 11:09

Para dhjetë ditësh, ish-kryeministri Sali Berisha foli për herë të parë në podiumin e Kuvendit edhe për Xhorxh Sorosin, personin që shkakton kaq trazim dhe teori konspirative në rrjetet sociale.

“Dardha e ka bishtin mbrapa dhe dardha është Xhorxh Soros, kam marrë emaile për të. Sorosi, një kryespekulant botëror që mbështet klikat komuniste në vendet ish-komuniste. Midis Sorosit dhe Edit, cherchez la femme, po kjo është histori tjetër. Po po, me dokumente, ja si qeshin, të gjitha këto e dinë këtë”, tha Berisha.

Për disa media të djathta, femra që aludon Berisha se lidh Edi Ramën me Sorosin është Linda Rama.

Por këto komente të tij vijnë në një kohë kur Soros ka pasur një takim të përzemërt me kreun aktual të PD, Lulzim Basha.

E gjithë kjo situatë ka çoroditur komentuesit dhe ka bërë që Aurel Plasari të bëjë një koment, duke ngritur pyetjen se përse Basha nuk flet për Sorosin.

“Do të vijë një ditë kur 28 janari 2016 do të përfshihet në historinë politike të shtetit shqiptar si datë historike: ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha denoncoi në Kuvendin e Shqipërisë “Rrjetin Soros”, organizatën e fshehtë të modeluar simbas praktikave të vjetra të Internacionales Komuniste si shkollë formimi- “fidanishte”- për futjen në dorë edhe në Shqipëri të pushtetit politik, atij ekonomik, madje edhe atij kulturor qysh prej vitit 1993 dhe deri më sot.

Prej vitit 1993 më bie të kem qenë ndër të parët që jam ndeshur me këtë strukturë perverse tanimë famëkeqe, kur Zotëria e tij multimiliarderi superbatakçi zbriti personalisht në Shqipëri dhe më bëri nderin duke më atakuar personalisht në një konferencë shtypi ngase nuk i isha bindur organizatës së ndërtuar prej tij, madje e kisha denoncuar publikisht në shtyp veprimtarinë e saj. Fatmirësisht, ndërsa priste shkarkimin tim nga detyra, të nesërmen,- mbas një takimi në mbrëmje me Presidentin e atëhershëm të Republikës,- u detyrua të zbythej duke njoftuar për shtyp që “pranonte dorëheqjen” e drejtorit të Fondacionit të tij në Shqipëri, Fron Nahzit, të cilit z. Sali Berisha ia shpalli të vërtetën e dosjes pikërisht në këtë fjalë

Mirëpo a mjafton për opozitën shqiptare vetëm prononcimi publik parlamentar i z. Sali Berisha për “Çështjen Soros”? Afërmendsh që jo. Kam pritur disa ditë dhe po ndjek me vëmendje heshtjen e kryetarit të PD-së, po ashtu edhe heshtjet në shumës të një numri deputetësh të PD-së dhe funksionarësh të saj të zgjedhur ose të emëruar,” shkruan Plasari.

Më i gëzuari që kjo çështja e Sorosit po debatohet në publik duket se mbetet avokati Altin Goxhaj, që prej kohësh mendon se të gjithë gjërat në Shqipëri vijnë e lidhen tek emri i miliarderit.

Aq larg shkoi Goxhaj, sa deklaroi se edhe komentet e Izet Haxhisë, ish-truprojë e Sali Berishës, bëhen sepse ai është paguar nga Sorosi.

Kaq ka mjaftuar dhe Izet Haxhia është përgjigjur me një koment me ‘dorë të rëndë’.

“Lexova diku se njëfarë Altin Goxhaj kishte bërë ‘zbulimin’ se përse është kërcënuar Sa’leh Berisha nga ana ime. Sipas këtij aktivisti të OJQ-, që hidhet sa në një prehër politikani tek një prehër tjetër, unë e paskam kërcënuar Salehun sepse qenkam paguar nga Sorosi, ngaqë Salehu i ka zbuluar lidhjet korruptive me njerëzit e tij në qeverinë e sotme. Pika që nuk të bie mor këlyshi i sigurimsit të shtetit. Po pse mundohesh të garosh me Salehun në shpifje e trillime, nuk ia kalon dot atij… Ai është i vetmi në llojin e ish-sigurimsave që nuk ia lëshon vendin e parë askujt për shpifje e trillime, as ty që je i biri i një sigurimsi famëkeq. Babai yt ka qenë drejtori i arshivës së Sigurimit të Shtetit dhe pyete njëherë për dosjen e atij që i shërben sot duke shpifur marrëzira të tilla. Nuk e njoh as Sorosin as soroistat që ka në Shqipëri, por dua të të kujtoj ty dhe Salehut se me porosi të tij kemi vendosur bombën në ndërtesën e këtij fondacioni në mars të vitit ‘97 sepse ky sipas Salehut po financonte rebelimin e kuq dhe gazetën e këtij rebelimi “Koha jonë”,” shkruan Haxhia.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat