Gërxhaliu: Kurrë s’do t’i gjejmë të gjithë shqiptarët e zhdukur

Lajme

Gërxhaliu: Kurrë s’do t’i gjejmë të gjithë shqiptarët e zhdukur

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 10:38

Të pagjeturit, nuk do të gjenden kurrë të gjithë, thotë doktori i mjekësisë ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Ai kishte nisur punën vetëm dy ditë pasi hyri KFRO-i në Kosovë. Kontakti i parë i tij me të vrarët ishte në Llukar të Prishtinës, ku kishte gjetur një person të varrosur, por që njëra dorë i kishte mbetur jashtë dhe ora vazhdonte t’i punonte.

Tash i ka 16 vite karrierë në një punë jo shumë të lakmueshme, ku koha më e madhe është të punosh me eshtra dhe njerëz që janë vrarë.

Arsim Gërxhaliu tregon për problemet që i ka Kosova në identifikimin të pagjeturve, për problemet me analiza, gërmimet e shumë probleme të tjera.

“Para së gjithash ju e dini se Kosova nuk është në gjendje të kryej analiza. Për këto 17 vite ne i kemi pasur analizat falas nga Komisioni Ndërkombëtarë për Persona të Pagjetur me bazë në Sarajevë, Tuzëll. Kjo po na paraqet problem shumë të madh sepse kohët e fundit jemi duke pritur shumë për analizat e ADN-së”.

Sa i përket laboratorit të Policisë, Agjencionit të Forenzikës, ai ka thënë se edhe aty ka një problem.

“Ka një laborator, por duhet të jemi të qartë se që nga 2006 që kemi bërë si departament i mjekësisë ligjore, kemi hasur, bile edhe ministri Hajredin Kuçi ka kenë pro kësaj dhe ka lejuar ndërtimin e laboratorit, ndërtesës që e kemi pothuajse të gatshme me dhoma të errëta me të gjitha, por në takimet me ndërkombëtarët kemi pasur një hezitim se një Kosovë e vogël është shumë t’i ketë dy laboratorë të ADN-së”.

Gërxhaliu është pyetur rreth asaj nëse ka shprehur Policia gatishmëri që t’i kryeni ato analiza te Agjencionin e Forenzikës.

Lidhur me këtë ai ka thënë se janë vetëm bisedime gjatë takimeve që kanë pasur, por nuk ka asgjë konkrete.

Arsim Gërxhaliu, ndër tjerash ka folur edhe për atë se kur pritet të përfundojë procesi i të pagjeturve, gjë për të cilën ai është shprehur shumë skeptik.

“Mund të flas nga ato që kam lexuar rreth përvojave të vendeve që kanë pësuar nga luftërat. Askund në botë ky proces nuk ka përfunduar. Në asnjë libër nuk e sheh që ky proces ka përfunduar. Disa nuk do të gjinden ndoshta edhe kurrë. Në anën tjetër kemi disa informacione, Natasha Kandiq më ka thënë se ka disa të dhëna që një numër i madh i njerëzve janë djegur në Obiliq, Trepçë, Maqkatic nëpër furrë larta dhe ajo çështje duhet të pastrohet me palën serbe. Sepse ata çdo gjë e kanë bërë me proces”, ka thënë ndër tjerash Gërxhaliu.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat