Thaçi: Zgjedhja e presidentit do t’i shërbejë forcimit të shtetit

Lajme

Thaçi: Zgjedhja e presidentit do t’i shërbejë forcimit të shtetit

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 00:38

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të Kosovës do të jetë një moment i ri që do t’i shërbejë forcimit të shtetit.

Këto komente Thaçi i bëri në shënimin e 16 vjetorit të themelimit të degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Pejë. Takimin e hapi kryetari e degës së PDK-së në Pejë, Xhavit Haliti i cili falënderoi kreun e partisë për mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar për Pejën që nga themelimi duke u zotuar se aktiviteti partiak do të intensifikohet dhe do të zgjerohet duke e bërë vizionin e PDK-së sa më të afërt me qytetarët.

Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i PDK-së, Kadri Veseli theksoi se në këto vite PDK-ja në Pejë kishte sfida të shumta por duke qenë vazhdimisht të përkushtuar, kemi arrit që të kemi organizim dhe veprimtari politike për lakmi.

Ai theksoi se Peja meriton qeverisje më të mirë jo vetëm për shkak të resurseve të saj natyrore por edhe resurset njerëzore që deri më tani nuk kanë arritur të japin më të mirën për Pejën, që fitohet nga legjitimite ti qytetar i marrë me votë.

Ai më tej theksoi se legjitimiteti i votës nuk duhet cenuar në asnjë mënyrë, mënyra institucionale e marrjes së pushtetit nëpërmjet vullnetit të qytetarëve është rruga e vetme dhe demokratike e qeverisjes.

Veseli theksoi se nuk duhet të lejojmë që të bëhen veprime që janë në kundërshtim me traditën demokratike të popullit tonë, jo me dhunë, jo me fyerje e shantazhe por vetëm nëpërmjet votës arrihet qeverisja lokale dhe qendrore.

“Qytetarët tanë kanë nevojë për jetë më të mirë, ngritjen e cilësisë së jetës së tyre, punësim dhe krijimin e vendeve të reja të punës e assesi fyerje, sjellje të pahijshme dhe jodinjitoze. Populli ynë ka nevojë për mirëkuptim dhe zhvillim të gjithanshëm”, theksoi Kadri Veseli, ndërsa për çështjen e presidentit theksoi se së shpejti Hashim Thaçi do të jetë në krye të vendit.

Në fjalën e tij, Hashim Thaçi, kryetar i PDK-së, theks oi se shënimi i përvjetorëve shton angazhimet jo vetëm të kreut por edhe strukturave të partisë për vizionin e PDK-së, për zhvillim sa më dinamik, krijimin e vendeve të reja të punës, forcimin e shtetit ligjor dhe subjektivitetit shtetëror të vendit tonë.

“Bashkë kemi marrë vendime të rëndësishme për vendin sepse me lidershipin e vet, PDK-ja a dëshmuar se është parti e vlerave, debatit të brendshëm, e vizionit në favor të qytetarit dhe forcimit të partneritetit me miqtë tanë në rrugëtimin tonë shtetformues e shtetndërtues. PDK-ja ka dëshmuar se ka organizim të qëndrueshëm dhe shembull për partitë tjera politike jo vetëm në vend por edhe në rajon”, theksoi Hashim Thaçi.

Ai më tej theksoi se PDK është parti energjike dhe konsekuente, që çmon votën e qytetarit dhe rri besnike ndaj vlerave të proklamuara, respekton standardin demokratik- votën e qytetarit.

“Me votën e qytetarit i fituam zgjedhjet e qershor it të vitit 2014. Kemi treguar maturi dhe durim. Kemi vepruar drejt sepse për neve primare ka qenë interesi i vendit. I kemi dhënë përparësi dialogut por jo dhunës, i kemi dhënë rast vetëm veprimeve të ligjshme demokratike, me besim të plotë në partneritetin e ndërtuar me miqtë tanë, dhe kjo na bën të kemi dallime substanciale në veprimtarinë politike”, theksoi Hashim Thaçi. Ai më tej foli për procesin e zhvillimit të bisedimeve, asociacionin dhe demarkacionin duke vënë në pah se interesat elektorale opozita sot i prezanton si interesa nacionale. Këtë duhet ta dinë qytetarët, theksoi Thaçi se kauzat elektorale nuk janë kauza nacionale.

Në Gjakovë, tubimin e hapi Hajdar Beqa, kryetar i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës duke vënë në dukje se tashmë, Gjakova, Hasi dhe Juniku, kanë subjektin më serioz politik, që rri afër interesave dhe vizionit të qytetarit për jetë më të mirë, zhvillim ekonomik dhe shtet ligjor.

Zëvendëskryetari PDK-së, Kadri Veseli foli për sukseset e qeverisjes në nivel lokal në Gjakovë duke përgëzuar strukturat e degës për punën e palodhshme të prezantimit të vizionit të Partisë Demokratike për shtet juridik, shtet të zhvilluar dhe partneritet me ShBA-në dhe BE-në.

“Liria e votës dhe legjitimiteti që del nga vota është i pacenueshëm. Opozita duhet ta ketë parasysh interesin tonë nacional për respektimin e votës, shtetin ligjor dhe partneritetin me ShBA-në dhe BE-në”, theksoi Kadri Veseli duke shtuar se vizioni i shumicës nuk duhet të cenohet nga askush dhe rrugën tonë të integrimeve euro-atlantike nuk ka të drejtë askush ta pengojë as dëmtojë sepse është vullnet i shumicës.

Ndërkaq rreth personalitetit të Hashim Thaçit si president, Veseli theksoi se populli zgjedh më të mirët, derisa më i miri në gjashtë palë zgjedhje ishte Hashim Thaçi. Ai foli edhe për biografinë e Z. Thaçi që nga koha e pozitës së tij prorektor student, deri në ditët e sotme, duke theksuar se me plot meritë, Republika e Kosovës do ta ketë president Hashim Thaçin.

Sipas një komunikate të PDK-së, në fjalën e rastit, Hashim Thaçi theksoi se ndjehet i nderuar në atmosferën e krijuar në Gjakovë në takim me strukturat e degës së PDK-së.

“PDK është parti e besimit, debatit, kulturës institucionale, të vendimeve të rëndësishme për vendin, me besueshmëri ndaj parterëve tanë strategjik, e qytetarëve që sakrifikuan në çdo etapë të zhvillimit të vendit, të qytetarëve që kontribuuan për lirinë dhe demokracinë e vendit”, theksoi Hashim Thaçi dhe vuri në dukje se asnjë herë PDK-ja nuk e lëshoi rrugën e respektimit të votës, edhe atëherë kur ishte në opozitë. Madje sipas tij, sot më shumë se kurrë partitë politike duhet të jenë të përgjegjshme dhe kauzat elektorale të mos i prezantojnë si kauza nacionale. Çështjet q ë ngrit sot opozita janë çështje pushteti e assesi interesi nacional, theksoi Hashim Thaçi dhe potencoi se zgjedhjet do të mbahen sipas agjendës së paraparë, më 2017 zgjedhjet lokale ndërsa më 2018 zgjedhjet nacionale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat