Avokati i grupit Kumanova: Të arrestuarit janë viktimë e skenarit të Shërbimeve Sekrete

Lajme

Avokati i grupit Kumanova: Të arrestuarit janë viktimë e skenarit të Shërbimeve Sekrete

Më: 9 shkurt 2016 Në ora: 00:15

Nesër do të mbahet seanca gjyqësore për rastin e 29 të arrestuarve të grupit Kumanova të cilët akuzohen për zhvillimet e muajit maj në qytetin e Kumanovës.

Për të folur rreth kësaj i ftuar në Ballë për Ballë të emisionit Ora e Fundit ishte Naser Raufi, avokati i disa prej të arrestuarve.

Raufi ka thënë se nga 29 të arrestuarit, 17 janë nga Kosova, një nga Shqipëria ndërsa 12 të tjerë nga Maqedonia.

Ai ka treguar se nesër do të mbahet seanca kryesore por nisur nga numri i provave ai është shprehur se pret që do të mbahen edhe 30 të tilla deri në përfundim të këtij rasti gjyqësor.

“Mendoj që do të ketë shumë seanca pasi provat e Prokurorisë janë me sasi shumë të madhe ashtu si edhe provat e palës mbrojtëse”.

“Deri tash, asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar se ka kryer veprën e terrorizmit”.

Sipas Raufit, të akuzuarit e këtij rasti janë viktima.

“Krejt kjo është skenar i shërbimeve sekrete ndërsa këta që janë të arrestuar sipas meje janë viktimë e politikës së Qeverisë”.

“Ju kujtohen bombat e Zaevit andaj vëmendja duhet të ishte dikund tjetër dhe ky rast u shfrytëzua”.

Ai ka thënë se ndonëse Prokuroria ka shumë prova, ato nuk e shprehin realitetin.

“Provat e Prokurorisë nuk tregojnë se janë këta veprues, janë selektive dhe bazohen në përgjimet e telefonave të të akuzuarve por nuk ka asnjë bisedë që i inkriminon të akuzuarit”.

“Përgjimet telefonike tregojnë skenarin e këtij rasti, skenari është që Shërbimet Sekrete ta shfrytëzojnë për qëllimet e veta”.

Ai në fund ka thënë se ka kontakt të vazhdueshëm me të akuzuarit që ai përfaqëson dhe gjendja e tyre shëndetësore është përmirësuar ndonëse disa prej tyre sipas tij kanë qenë shumë të maltretuar fizikisht.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat